E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonasit gati për të zgjedhur një president me përkatësi të ndryshme etnik

Shkup - Qytetarët e Maqedonisë janë të përgatitur të votojnë për kandidat për president një person nga përkatësi të ndryshme etnike. Kështu rezulton pas rezultateve të anketës së Qendrës për hulumtim dhe krijim të politikave (QHKP). Në pyetjen nëse do të votojnë për kandidat nga përkatësia tjetër etnike, 54,5 për qind janë përgjigjur pozitivisht, përderisa ofron program cilësore, 11,9 për qind janë përgjigjur me po, nëse s’kanë zgjidhje tjetër, kurse 32 për qind e qytetarëve të anketuar, me asnjë kusht nuk do të votonin për kandidat të përkatësisë tjetër etnike.

Më fleksibil në këtë pyetje janë shqiptarët etnikë. Tek ata 68 për qind janë përgjigjur të gatshëm për të votuar kandidat të etnitetit tjetër nëse përderisa ofron programe cilësore, 8,9 për qind vetëm nëse s’kanë zgjidhje tjetër, kurse 21,5 për qind kanë thënë se nuk do të votoin me asnjë çmim për kandidat të etnisë tjetër.

Tek maqedonasit 50 për qind janë përgjigjur po, përderisa ofron programe cilësore, 13 për qind vetëm nëse s’kanë zgjidhje tjetër dhe jo me asnjë çmim 36 për qind. Nga emrat e kandidatëve potencial për kryetar të cilët ishin përmendur në opinion në periudhën e kaluar, të anketuarit do të votonin për kryetar Sërgjan Kerimin 27,2 për qind, Ali Ahmetin 9,3 për qind, Branko Cërvenkovskin 8,3 për qind, Zoran Stavrevskin 6,7 për qind, Imer Selmanin 6,6 për qind, Lube Boshkovskin 5,9 për qind. Një e katërta e qytetarëve janë përgjigjur me “nuk e di”. Tek maqedonasit 34,3 për qind do ta votonin Sërgjan Kerimin për kryetar, Branko Cërvenkovskin 9,8 për qind dhe Zoran Stavrevskin 8,9 për qind dhe nuk e di janë përgjigjur 29,3 për qind.

Tek shqiptarët 39,4 për qind do ta votonin për president Ali Ahmetin, 27, 6 për qind Imer Selmanin, kurse Menduh Thaçin 8,9. Rreth 15 për qind e qytetarëve ende nuk dinë se për cilin kandidat do të votonin.

Dy të tretat (66 për qind) e qytetarëve kanë mendim pozitiv për Sërgjan Kerimin si politikan, ndërsa mendim negativ 13. Për Ali Ahmetin mendim pozitiv kanë 18 për qind, ndërsa negativ 70 për qind. Për Branko Cërvenkovskin mendim pozitiv kanë 34,5 për qind dhe negativ 34 për qind. Për Zoran Stavrevskin mendim pozitiv kanë 54,3 për qind ndërsa negativ 20 për qind. Për Imer Selmanin mendim pozitiv kanë 31,3 për qind kurse negativ 34 për qind. Për Lube Boshkovskin mendim pozitiv kanë 37 për qind kurse negativ 28 për qind. Kjo është pjesë e rezultatetve nga anketa të cilën Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave nga Shkupi e zbatoi nga 5 deri më 7 dhjetor të vitit 2008 në ekzemplarë prej 1100 të anketuar dhe gabim margjinal prej plus-minus 3 për qind.

Në pyetjen nëse nesër mbahen zgjedhjet parlamentare për cilën parti do të votoni, 34,4 për qind e të anketuarve janë përgjigjur për VMRO-DPMNE-në, 8,9 për qind për BDI-në, 7,1 për qind për LSDM-në, 6,3 për qind për Demokracinë e Re, 2,3 për qind për PDSH-në, 2 për qind për PLD-në. Asnjërin prej këtyre janë përgjigjur 22,6 për qind, nuk e di 12,7 për qind dhe të tjera 3,7 për qind. Lajm/Start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›