E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet kunati i kryetarit të PDSH-së

Policia arriti të arrestojë Safet Nezirin, 30 vjeç, nga fshati Poroj i Tetovës, që vrau para dy ditësh, me gjashtë plumba kallashnikovi, Zulqani Rexhën (41 vjeç), kunat i kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi. Sipas policisë, nuk bëhet fjalë për vrasje me motiv politik, pasi vrasësit iu gjet libreza e anëtarit të partisë politike shqiptare PDSH, së cilës i përkiste edhe i vrari. "Vrasja ndodhi për shkak të hesapeve të pazgjidhura, që më parë, mes të dy personave dhe të dy ata i përkisnin së njëjtës parti politike, kështu që përjashtohet vrasja me motiv politik", deklaroi dje ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, sipas së cilës, Safet Neziri nuk ka pasur më parë dosje kriminale, kurse i vrari, Zylqani Rexha, kishte disa precedenca penale, kryesisht për akte dhune, një nga të fundit gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të parakohshme, që u zhvilluan në këtë vend. Policia bëri të ditur se vrasësi Neziri kishte lëshuar afro 30 plumba nga automatiku kallashnikov në drejtim të Rexhës, që sapo po dilte nga makina e tij "Golf", diku pranë qendrës së Tetovës. Sipas informacioneve që ka policia, vrasja, ka shumë të ngjarë, të ketë si motiv një grindje të fundit dhe urrejtjen që kishin mes tyre vrasësi e viktima dhe se nuk bëhet aspak fjalë për larje hesapesh me motive politike. Një nga variantet, të cilit i besohet më shumë, është se viktima Rexha e kishte ofenduar keqas Nezirin në sy të familjes së tij. Kunati i kryetarit të PDSH-së, baba i tre fëmijëve të vegjël, kishte në pronësi kafenenë VIP në Tetovë, ndërsa kishte edhe biznese të tjera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›