Maqedoni, shqiptarët synojnë ministri kyçe
Organizatat joqeveritare shqiptare në Maqedoni kërkojnë që shqiptarët, përfundimisht, pas këtyre zgjedhjeve, të marrin një nga postet kyçe shtetërore, siç është kryetari i Parlamentit dhe ministri të rëndësishme. Sipas agjencisë INA, Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Europiane (OBRIE), vlerëson se është momenti i fundit që shqiptarët të marrin hisen e tyre sa i përket drejtimit të institucioneve kyçe në vend, siç është Parlamenti i Maqedonisë. Duke qenë si një popull i dytë në Maqedoni, duhet që përfundimisht të shkohet me kërkesat për të marrë njërin nga postet kyçe në shtet dhe ministri, që deri tani kanë qenë të mbyllura për tu udhëhequr nga shqiptarët. Faktori politik shqiptar që merr mandatin e popullit duhet të shtrojë si kërkesë dhe kushtëzim pozicionimin në resore kyçe ministrore, siç janë Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave. Por, njëherë e përgjithmonë duhet të vendoset funksionimi i qeverisë me vetëm një zëvendëskryeministër, i cili do të duhet të ketë fuqi politike në vendimmarrjet e qeverisë, menjëherë pas kryeministrit, thekson OBRIE.