E Diel, 1 Nëntor 2026

Pediatria nuk kuron dot fëmijët, barnat në “grahmat” e fundit



Emanuela Sako

Spitalet e kryeqytetit në krizë për ilaçe. Depoja qendrore në QSUT, që bën shpërndarjen e barnave nëpër pavijone, ka njoftuar vetëm pak ditë më parë se duhet të ruhen në maksimum barnat për të shkuar sa më gjatë, sepse nuk ka më medikamente rezervë. Burime nga pediatria, pohuan dje për gazetën “Albania” bëjnë të ditur se njoftimi u ka shkuar ditët e fundit dhe ata nuk dinë më se me çfarë mjetesh të ushtrojnë profesionin e doktorit në mungesë të medikamenteve bazë. Asnjë institucion nuk jep një përgjigje të saktë se kur do të zhbllokohet situata dhe pacientët të kenë një vend ku të drejtohen për kurim. Medikamentet, që ndodhen pran spitaleve janë të pakta dhe tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse qytetarët të blejnë gjithçka dhe në çdo situatë. Njëkohësisht, në spitalin e pediatrisë nuk kryet asnjë analizë për fëmijët që drejtohen në spital. U bënë disa muaj që ky spital, ka pushuar së bëri analiza profesionale, ndërsa mjekët janë të detyruar t’i përcaktojnë diagnozat falë eksperiencës së tyre. Burime brenda spitalit, u shprehen se mjekët e kanë të pamundur të punojnë dhe të përcaktojnë diagnozën e saktë për të sëmurët, pasi nuk kryhen analizat për përcaktimin e tyre. Analizat që nuk kryhen janë analizat e gjakut komplet, analizat e mëlçisë, veshkave, alergjisë etj. Ndërkohë që e njëjta situatë vlen edhe për laboratorin Biokimik-Klinik, i cili duhet të kryente një numër të madh analizash, por për shkak të mungesave të lëndës së parë situata ka mbetur e njëjtë si disa muaj më parë.
Situata
Ata që janë më të shqetësuarit janë prindërit, të cilët drejtohen në pediatri për të kuruara apo kryer vizitë për fëmijët e tyre. Me ardhjen e sezonit veror është shtuar edhe numri i vizitave të fëmijëve të vegjël në pediatri. Problemet shëndetësore nga vapa e nxehtë bëjnë që tek fëmijët të shfaqen probleme të shumta shëndetësore, sidomos me alergjinë apo në rrugët e frymëmarrjes. Por kjo ndodh në një kohë kur spitali pritet të përballet me një fluks të madh pacientësh, të cilët mjekët theksojnë se nuk dinë se si t’i kurojnë, apo nuk kanë një përgjigje se ku duhet t’i drejtojnë. Për këtë arsye, shumica e prindërve i drejtohen klinikave private edhe pse përballimi i tyre kërkon një kosto të lart, që janë të papërballueshme për xhepat e qytetarëve.
Ankesat
Mjekët theksojnë se çdo gjë për mungesat është bërë publike, por tashmë ata nuk dinë ku të drejtohen për sjellë zhbllokimin e situatës. Sipas tyre, askush nuk di të japë një afat për përfundimin e situatës. Ndërkohë që fëmijët e kanë të nevojshëm kurimin e menjëhershëm për shkak të gjenerimit të sëmundjeve të tjera. Një situatë e tillë është bërë e vazhdueshme në QSUT dhe nuk dihet ende se deri kur do të vazhdojë. Ndërkohë që Drejtoria e QSUT-së, shpeshherë ka dhënë premtimin se kjo është një situatë e përkohshme, ndërsa sa herë i drejtohesh spitaleve përballesh me një situatë gjithmonë e më të përkeqësuar.

Ndoka: ”Rreth 217 qendra të reja shëndetësore”

Pritet që Ministria e Shëndetësisë të angazhohet në një nismë të reja për ndërtimin e 217 qendrave të reja shëndetësore në të gjithë vendin. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, theksoi se për këtë vit janë planifikuar investime me vlerë 480 milion lekë për ndërtimin e 217 qendrave shëndetësore në shkalle vendi. Sipas tij, vetëm në qarkun e Tiranës do të investohen 26 milion e 520 mijë lekë për ndërtimin e 9 qendrave shëndetësore moderne. Deklarata e Ndokës u bë gjatë inaugurimit të Qendrës Shëndetësore në Petrelë me vlerë 50 mijë euro. Qendra e re ka në përbërjen e saj një staf prej tre mjekësh, puna e të cilëve do të kryhet përmes pajisjeve bashkëkohore mjekësore, cila do të ofrojë shërbim parësor për 2 mijë banorët e kësaj zone. Rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore Petrelë, u mundësua nga zbatimi i projektit me Fondacionin ADRA në Shqipëri, me vlerë 50 mijë euro.
Duke vlerësuar ndihmën e dhënë nga fondacioni, ministri Ndoka u shpreh se inaugurimi i kësaj qendre është në vazhdën e reformave të ndërmarra në kujdesin shëndetësor parësor, i cili ndër të tjera konsiston edhe në bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor. Vetëm në vitin 2007, Ministria e Shëndetësisë ka mundësuar ndërtimin e 315 qendrave shëndetësore dhe rikonstruksionin e 104 ambulancave.

Premtimi, QSUT-ja brenda vitit me pajisje të reja

QSUT-ja do të pajiset brenda këtij viti me pajisje të reja, të cilat prej vitesh janë në gjendje katastrofike. Ky premtim, është dhënë nga Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili u shpreh se rreth 55 milion lekë do të përdoren për blerjen e lipotritit, 60 milionë lekë për skaner, 60 milion lekë për pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë, 9 milion lekë për pajisje endoskopie dhe 21 milion lekë për pajisje informatike. Problematike dhe shfaqen edhe kushtet e infrastrukturës, trajnimit të personelit dhe përmirësimin e teknologjisë mjekësore, të cilat pritet të rregullohen në bazë të politikave që do të ndjekë Ministria e Shëndetësisë. Ndoka theksoi se rëndësi të veçantë për përmirësimin e shërbimit të shëndetësisë do t’i kushtohet trajnimit të personelit shëndetësor, ku do të dërgohen mjekë shqiptarë për specializime të veçanta.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›