E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa kredite nevojiten për të fituar diploma studimi



Ministria e Arsimit bën publik udhëzimin për organizimin e studimeve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë.
Kështu sipas këtij udhëzimi, një krediti të formimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore punë të studentit. Sasia mesatare e punës së kryer gjatë një viti studimesh universitare nga një student me kohë të plotë është 60 kredite apo 1500 orë mësimore punë të studentit, që përfshijnë orë në auditor dhe orë për punë të pavarur të tij. Orët për punë të pavarur të studentit zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve mësimore. Ngarkesa javore në auditor për leksione, seminare, ushtrime dhe laboratore është në intervalin e 20-25 orëve mësimore 60 minutëshe. Kreditet korresponduese për çdo veprimtari formuese fitohen nga studentet vetëm për vlerësim pozitiv në verifikimin përfundimtar të dijeve të fituara prej tyre. Për verifikimin e dijeve përdoren forma të ndryshme që kombinojnë verifikimin e vazhdueshëm me atë përfundimtar (provimin). Njohja e plotë apo e pjesshme e krediteve të marra nga një student me qëllim vazhdimin e studimeve në një program tjetër studimi në të njëjtin institucion, si dhe në të njëjtin apo një tjetër program studimi në një institucion tjetër të arsimit të lartë, bëhet nga njësia që pret studentin, me procedura dhe kritere të përcaktuara në rregulloren mësimore të institucionit. Institucionet publike të Arsimit të Lartë mund të njohin si kredite të formimeve universitare në një program të caktuar studimi, sipas kritereve të përcaktuara, njohuri dhe aftësi profesionale të certifikuara sipas akteve ligjore në fuqi, si dhe njohuri të veprimtarive formuese të nivelit pas shkollës së mesme dhe që janë në përputhje me objektivat specifikë të programit përkatës të studimit. Numri maksimal i krediteve të njohura në këtë rast nuk kalon 60 kredite për programet e studimit të ciklit të parë dhe 40 kredite për programet e studimit të ciklit të dytë.

Fitimi i diplomave të studimit
Për të fituar një diplomë të nivelit të parë (DNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 180 kredite
Për të fituar një diplomë të nivelit të dytë (DND), studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite
Për të fituar një diplomë të integruar të nivelit të dytë (DIND), studenti duhet të ketë grumbulluar së paku 300 kredite
Për të fituar një diplomë të Masterit të nivelit të parë (MNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 60 kredite
Për të fituar një diplomë të Masterit të nivelit të dytë (MND), studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite
Për të fituar një diplomë të një programi studimi jouniversitar, studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite
Për të fituar një certifikatë në përfundim të një programi studimi të formimit të vazhduar, studenti duhet të ketë grumbulluar numrin e nevojshëm të krediteve, të përcaktuar nga institucioni respektiv i arsimit të lartë për atë program studimi

Rektorët i kërkojnë Pollos të mos u marrë kompetencat

Rektorët e Universiteteve Publike në vend i kanë bërë thirrje dje ministrit të Arsimit që të kthejë pas vendimin që i’u heq kompetencat atyre dhe fuqizon kancelarët. Rektorët të mbledhur në një takim zhvilluar në universitetin “Aleksander Xhuvani” në Elbasan kanë rikonfirmuar kërkesën e tyre bërë më datë 20 maj, përsa i përket kompetencave të kancelarit, duke iu kundërvënë sërish Ministrisë së Arsimit. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule në cilësinë e kryetarit të forumit të rektorëve të Universiteteve Publike i ka bërë thirrje Genc Pollos të kthejë mbrapsht vendimin dhe t’u rikthejë kompetencat rektorëve që sipas tyre i’u janë dhënë arbitrarisht kancelarëve nga Ministria e Arsimit. Sipas krerëve të universiteteve publike në vend, vendimi për fuqizimin e kancelarëve minimizon rolin e të zgjedhurve dhe vë në kontroll të plotë të qeverisë institucionet e arsimit të lartë publik. Në fund të këtij takimi u bë dhe konstituimi i Këshillit Kombëtar Studentor, si institucion autonom dhe i pavarur nga çdo ndikim i karakterit institucional apo politik i parashikuar në ligjin për arsimin e lartë në Shqipëri.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›