Maqedoni, BDI: VMRO-DPMNE, shovinizëm ndaj shqiptarëve
"Kjo është diktaturë". Kështu i është përgjigjur Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet kërkesës së partnerit të saj koalicionues, VMRO-DPMNE-së për kufizimin e kohës së fjalimeve të deputetëve, me qëllim që grupi parlamentar i BDI-së të mos bllokojë punën e komisionit parlamentar të politikës sociale, në të cilin filloi shqyrtimi i projektligjit për të drejta të veçanta të ish pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë. “Sipas nenit 86 deputeti anëtar, përkatësisht zëvendës anëtar i komisionit, mund të marrë fjalën vetëm një herë rreth një amendamenti, në kohëzgjatje prej 10 minutash. Ndërsa përfaqësuesi i autorizuar mund të flasë njëherë rreth të njëjtit amendament në kohëzgjatje prej 15 minutave. Deputeti të mos ketë mundësi t’i replikojë bashkëpartiakut, ndërsa replikat të mos zgjasin më shumë se 3 minuta, përderisa kundërreplika jo më shumë se 1 minut”, deklaroi Vele Georgievski, deputet i VMRO-DPMNE-së. Nexhati Jakupi, deputet i BDI-së i mëshoi faktit se “me këtë retorikë, ju po dëshmoni qasje diktatoriale në institucionin ligjvënës, i cili në fakt, duhet të jetë shembull i demokracisë në vend”. Deputetët e BDI-së kërkuan që komisioni parlamentar i rregullores, mandateve dhe imunitetit të interpretojë se si duhet të punojë komisioni i politikës sociale, mendim të cilin do ta japë më së voni pas 5 ditëve. Nga ana e saj, Ermira Mehmeti-Devaja, deputete e BDI-së, vlerësoi se “tendenca për të bindur njëri tjetrin po zgjatë gati dy orë dhe nuk mundë të vendoset për punën në këtë komision. Këtë dilemë se si duhet të vazhdojmë me punë në të ardhmen më mirë është që ta zgjedh e Komisioni për çështje të rregullores dhe mandatit dhe imunitetit”. “PDSH do të votoj kundër këtij propozimi. Është mirë që deputetët e BDI-së kanë filluar të jetojnë një realitet të cilin e përjetojnë për cdo ditë qytetarët shqiptarë, ku rihen, maltretohen dhe ju montohen raste sikur “Sopoti” dhe “Monstra”, u shpreh Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së. Debati kaloi në atmosferë të nxehtë midis deputetëve që i takojnë shumicës parlamentare. BDI-ja, e cila ka propozuar 15 mijë amendamente ndaj projektligjit akuzoi VMRO-DPMNE-në për shkelje të marrëveshjes për koalicion qeveritar, shkelje të rëndë të demokracisë dhe rrezikim të marrëdhënieve ndëretnike. Por VMRO-DPMNE-ja theksoi se ligji nuk është antishqiptar.
...