Maqedoni, BDI në koalicion me DR-në
Duke patur parasysh këtë situatë, partitë shqiptare kanë filluar të mendojnë për të gjitha modalitetet se si do të prezantohen në këtë situatë.Burime të besueshme të gazetës “Lajm” kanë pohuar se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i DR-së, Imer Selmani, kanë arritur marrëveshje për të dalë së bashku në zgjedhjet e ardhshme. Bisedat për koalicionin BDI-DR janë bërë tre ditë para Kongresit të BDI-së që u mbajt në Shkup, ku janë caktuar edhe pikat kryesore të këtij koalicioni.Ali Ahmeti i ka premtuar Imer Selmanit tre deputetë të sigurte. Vetë kryetari i DR-së, Selmani do të jetë në listën zgjedhore në njësinë numër 1, e cila përfshin gjysmën e qytetit të Shkupit dhe komplet rajonin e Dërvenit. Në zonën zgjedhore numër 2, DR do të ketë kandidatin e saj të renditur me numrin 4 që është vend i sigurt për partitë shqiptare. Në këtë njësi zgjedhore, e cila përfshin pjesën lindore të Shkupit, komplet rajonin e Karadakut dhe Kumanovën, sipas të gjitha gjasave kandidat i DR-së do të jetë deputeti aktual, Abedin Zymberi. Deputeti i tretë i sigurt i DR-së do të jetë në zonën numër 6, që përfshin Tetovën Gostivarin, Dibrën dhe një pjesë të Kërçovës. Kandidat potencial është Sulejman Rushiti i renditur në vendin e katërt të listës zgjedhore të përbashkët me BDI-në. Një opsion i dytë që mund të ndodhë nëse Maqedonia nuk e respekton afatin kohor prej gjashtë muajsh nga BE-ja, është formimi i një qeverie teknike. Kjo qeveri do të formohet nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, dhe BDI e DR nga partitë shqiptare. Rrëzimi i Gruevskit do të vijë si rezultat i mosbesimit që fillimisht do ta ketë nga BDI-ja, pastaj nga partia e Boshkovskit dhe disa parti të vogla që janë në ekzekutiv. Asnjëra prej partive politike nuk i ka pohuar këto deklarata, duke vlerësuar se është ende herët që të mendohet për zgjedhjet. Afërsia e Imer Selmanit dhe Ali Ahmetit është vërejtur edhe në mbajtjen e dy Kongreseve zgjedhore, atë të DR-së dhe të BDI-së, kur dy kryetarët nderuan njëri-tjetrin me pjesëmarrje në Kongres. /lajm/start/