Maqedoni, shqiptarët do të bojkotojnë maqedonishten
“Për sa i përket mësimit të maqedonishtes që nga klasa e parë, është vendim që është marrë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë, por nëse këshilli i prindërve dhe drejtorët e shkollave kundërshtojnë këtë vendim, atëherë ne si komunë e kemi për detyrë që tu japim përkrahjen tonë”, deklaroi Fatih Iseni, kryetar i komunës së Studeniçanit. Të njëjtën gjë thonë edhe përfaqësuesit e komunës së Gostivarit. “Vendimin për bojkotimin e gjuhës maqedonase që nga klasa e parë duhet ta marrin shkollat, e më pas ne do ti mbështesim ato në vendimet që do marrin”, deklaron Qeramedin Selimi, nga sektori i arsimit në Komunën e Gostivarit. Ndërsa në Tetovë deri tani janë ndërmarrë masa sa i përket kësaj çështjeje. “Para pak kohësh në Tetovë u mblodhën nënshkrime kundër këtij vendimi, gjithashtu edhe kemi mbajtur disa mbledhje me drejtorët e shkollave fillore të Tetovës dhe me përfaqësuesit e këshillit të prindërve, me ç’rast u vendos që mos të përfillet ky vendim, dhe kanë përkrahje të plotë nga ana jonë si komunë”, deklaron Iljaz Halimi, këshilltar i komunës së Tetovës për çështje arsimore. Ai gjithashtu shtoi se do të ishte e tepërt që në moshën gjashtë vjeçare të mësohen gjuhë të reja, dhe në këtë rast prindërit kanë të drejtë të ankohen dhe ta kundërshtojnë këtë vendim. Ndërsa, kohë më parë shkollat fillore shqipe shprehën pakënaqësitë e tyre në lidhje me këtë vendim, duke thënë që do të bojkotojnë mësimin nëse nuk tërhiqet ky ligj absurd. Po ashtu, edhe Gjykata Kushtetuese duhet të vërtetojë nëse ky ligj është antikushtetues.