Maqedoni, Gruevski hedh poshtë mundësinë për shkarkim të Cërvenkovskit
Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski hodhi poshtë mundësinë e shkarkimit për presidentin Branko Cërvenkovski, ndonëse reagoi për amnistimin e kryetarit të Strumicës Zoran Zaev. “Ne, Cërvenkovskin duam ta mposhtim në zgjedhje, e jo në këtë mënyrë. Madje edhe nëse nuk del në zgjedhje, kjo po ashtu do të thotë disfatë për të”,- deklaroi Gruevski i cili ka kërkuar nga Cërvenkovski sqarimin e motiveve të tij për abolicion të Zaevit. Sipas Gruevskit, arsyetimi i Cërvenkovskit se ky veprim bëhet për kthimin e opozitës në parlament, është thjesht një udhëheqje e në hije e opozitës. “Me vendimin për abolicion Cërvenkovski shkaktoi goditje të madhe ndaj luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, ky fakt duhet të rishqyrtohet seriozisht dhe të shihet si do të zbatohet në të ardhmen”,- tha Gruevski. Ai theksoi se abolicioni për Zaevin është një rast unik në Europë, në të cilin amnistohen personalitetet për krime financiare. Ndërkohë Parlamenti i Maqedonisë rimiratoi dje Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili shërben si bazë juridike për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni. Ligji iu rikthye kuvendit dhe rimiratimit të tij pasi presidenti Cërvenkovski nuk e kishte dekretuar ligjin në fjalë. Sipas Kushtetutës maqedonase në një votim të dytë unanim nga Kuvendi ligji hyn në fuqi menjëherë dhe presidenti nuk ka më të drejtë kthimin e ligjit. Kryetarja e Lidhjes Social Demokrate, Radmilla Sheqerinska deklaroi se VMRO-DPMNE për gjashtë vite ka mashtruar popullin maqedonas me patriotizëm të rreme. Ndërkohë BDI përshëndeti hapin e parlamentit. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nuk mori pjesë në seancën parlamentare dhe njoftoi rikthimin në Kuvend menjëherë pas pushimeve të verës me një draft për përdorimin e shqipes. Ligji i miratuar parashikon përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë nivelet e administratës përjashto këtu ministritë, strukturat e mbrojtjes dhe policisë. Ligji paarashikon përdorimin e shqipes në komisionet kuvendore por jo në sallën e Kuvendit. Gjithashtu ai do përdoret gjërësisht në të gjitha nivelet e pushtetit vendor. Cërvenkovski gjatë fundjavës mori vendim për mosfirmosjen e dekreteve për disa ligje. Ai po ashtu, firmosi edhe vendimin për abolicion të kryetarit të Strumicës Zoran Zaev dhe pesë të dyshuarve tjerë për rastin me qendrën tregtare “Global” në Strumicë. Sipas reagimeve të para të VMRO-DPMNE-së në pushtet, veprimet e presidentit Cërvenkovski paraqesin një grusht shteti dhe nuk janë në pajtim me ligjet dhe pushtetin gjyqësor. Vëzhguesit kanë konsideruar se Maqedonia po kalon një krizë të rëndë politike dhe priten debate të ashpra në parlament mes pozitës dhe opozitës.
5 Gusht 2008