Bizneset nuk interesohen për të dhënat shëndetësore të punonjësve
Emanuela Sako
Punonjësit nuk dorëzojnë raportin me të dhënat shëndetësore pranë institucionit apo biznesit ku punojnë. Rregullorja e Ministrisë së Shëndetësisë parashikon që të gjithë punonjësit duhet të dorëzojnë një raport mjekësor me të gjitha të dhënat shëndetësore të tyre. Por, kjo rregullore nuk zbatohet në të vërtetë në të gjithë subjektet apo institucionet. Sipas ligjit, në rast se raporti nuk dorëzohet, atëherë DSHP-të e rretheve marrin masa ndaj punonjësit dhe subjektit privat që nuk ka zbatuar rregulloren. Një ndër këto raste janë edhe kamerierët, të cilët nuk kanë dorëzuar një raport të tillë dhe për më tepër nuk iu është kërkuar nga pronarët e tyre, të cilët i kanë punësuar.
Zbatimi
Zbatimi i këtij ligji nuk ka gjetur vend për t’u aplikuar. Madje vetë punonjësit nuk kanë dijeni për ekzistencën e këtij ligji. Kjo ndodh kryesisht për të punësuarit në subjektet private. Pjesa dërrmuese e punonjësve pranojnë se nuk e njohin këtë rregullore dhe për më tepër nuk iu është kërkuar në asnjë vend dokumenti shëndetësor. Ky dokument merret në poliklinikën e lagjes dhe jepet nga mjeku i familjes. Mjeku i familjes ka të dhëna për të gjithë banorët që ai mbulon, sipas shpërndarjes që është bërë. Ai është i vetmi që mund të japë raportin mjekësor me të gjitha të dhënat dhe sëmundshmërinë e çdo pacienti. Rastet e zbatimit të rregullores janë tepër të zbehta dhe vihet re kryesisht në rrethet e vendit. Ndërsa në kryeqytet, ndodh e kundërta. Verifikimet e punonjësve për dorëzimin e raportit mjekësor nuk ndodh në asnjë rast.
Domosdoshmëria
Dorëzimi i raportit mjekësor është i rëndësishëm, pasi verifikon personin nëse ka ndonjë sëmundje infektive, e cila do të përbënte rrezik për të tjerët. Përveç kësaj, është e domosdoshme që punëmarrësi të njihet me mundësit fizike apo mendore të të punësuarit. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur shumica e punonjësve kanë shfaqur shenja agresiviteti ndaj kolegëve, madje kanë arritur deri në vrasje. Për të rritur përgjegjshmërinë në punë, njohja e punëmarrësit me raportin mjekësor të çdo punonjësi është një domosdoshmëri.
5 Gusht 2008