Kule: ”Punësimi i pedagogëve të rinj, aplikimet më 11 gusht”
Aplikimet e kandidatëve për pedagogë me kohë të plotë pranë Universitetit të Tiranës do të nisin më 11 gusht dhe do të vijojnë deri në fund të këtij muaji. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule bëri të ditur se të gjithë aplikantët do të kenë mundësi të konkurojnë për 160 vende. Sipas tij, kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve të rinj do të publikohen brenda kësaj jave. Rektori Kule, u shpreh se të interesuarit për t’u emëruar pedagogë në fakultetet e UT-së do të plotësojnë një formular, ku do t’u kërkohen të dhënat përkatëse. Ata duhet të paraqiten në rektoratin e UT-së për t’u njohur paraprakisht me kriteret e pranimit. Përparësi më të madhe do të kenë të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar studimet apo kanë mbrojtur titujt shkencor jashtë vendit. Rektorati i Universitetit të Tiranës ka kërkuar që të punësojë rreth 160 pedagogë, pasi me rritjen e numrit të kuotave për këtë vit akademik, rriten edhe nevojat për staf pedagogjik. Aktualisht, autoritetet drejtuese të Fakulteteve po bëjnë propozimet përkatëse për këto kritere, në mënyrë që numri i pedagogëve që ka premtuar qeveria, të shpërndahet në mënyrë sa më të drejtë dhe pikërisht aty ku janë nevojat më të mëdha. Vitin e ardhshëm pritet që të punësohen rreth 400 pedagogë në universitetet publike të vendit.
5 Gusht 2008