E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: “Do arrestojmë edhe Mlladiç e Haxhiç”



Pas arrestimit të kriminelit të luftës Radovan Karaxhiç, presidenti i Serbisë Boris Tadiç është kërcënuar me vdekje duke u vlerësuar si tradhëtar. Edhe pas këtyre veprimeve Tadiç ka premtuar se Serbia do të arrestojë dhe dy të kërkuarit e tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç sepse vetëm në këtë mënyrë mund të rritet kredibiliteti i Serbisë. Sipas tij, bashkëpunimi me Hagën është i pashmangshëm kur bëhët fjalë për të ardhmen proeuropiane. Duke folur për herë të parë pas arrestimit të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i cili u ekstradua në Hagë dhe po gjykohet, Tadiç tha se Beogradi do t’i përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare për të arrestuar personat e tjerë që kërkohen nga Gjykaka e Hagës për krime lufte. “Bashkëpunimi me gjykatën e Hagës është një fakt që nuk e shmangim nëse duam që të rritim kredibilitetin e Serbisë. Arrestimi i të gjithë personave që janë akuzuar nga Gjykata e Hagës, ka qenë një detyrim i të gjitha qeverive serbe”,- ka pohuar presidenti serb. Tadiç u shprehu mirënjohjen forcave të sigurisë që u përfshinë në operacionin për arrestimin dhe ekstradimin e Radovan Karaxhiçit si një proces tejet i vështirë dhe i rrezikshëm. “Si president i Serbisë unë ju shpreh publikisht mirënjohjen time oficerëve të policisë dhe pjesëtarëve të shërbimit të fshehtë. Ata e vunë veten në rrezik duke bërë punën e tyre. Unë e respektoj këtë dhe gjëja më e rëndësishme është se ata bënë punën që u takonte”,- tha Tadiç. Ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç dhe udhëheqësi i serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç, janë në listën e personave më të kërkuar nga Gjykaka e Hagës pas arrestimit të Karaxhiç. Nacionalistët serbë e quajtën Tadiçin “tradhëtar” gjatë protestës që zhvilluan në Beograd kundër arrestimit të liderit serb të Bosnjes. Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës është një ndër kushtet kryesore për afrimin e Serbisë drejt Bashkimit Europian.

Milloshovski: “Maqedonia ende pa vendim për njohjen e Kosovës”

Maqedonia ende nuk ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës pasi të rëndësishme për këtë vend janë edhe marrëdhëniet me Serbinë.
Shefi i dipomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski, në një intervistë për të përditshmen maqedonase “Dnevnik” deklaroi se qeveria nuk e ka shqyrtuar akoma çështjen e njohjes së shtetit të Kosovës. “Për ne është me rëndësi të mbajmë marrëdhënie të mira edhe me Beogradin edhe me Prishtinën. Nuk e vlerësojmë si diçka të pamundur, por është e domosdoshme për Maqedoninë si shtet i cili është i vetëdijshëm se edhe Kosova edhe Sërbia tani dhe në të ardhmen janë dhe do të jenë fqinjët tanë”,- është shprehur Milloshovski. Sipas tij, ende nuk janë pjekur kushtet që të mund të vendoset në rend ditë çështja e njohjes së Kosovës.
Ai tha se çështja e Kosovës do të vendoset në rend dite në momentin kur të krijohen kushtet dhe se vendimi do të merret në të mirë të interesave kombëtare dhe shtetërore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin pasaportën e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë zyrtarisht pasaportën e Kosovës si dokument të vlefshëm. Lajmi u konfirmua nga ambasada amerikane në Prishtinë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përgëzojnë Qeverinë e Kosovës për dhënien e pasaportës së parë të Kosovës me datën 29 Korrik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pranojnë zyrtarisht pasaportën e Kosovës si dokument te vlefshëm dhe që nga data 1 gusht miraton vendosjen e vizave në pasaportat e Kosovës për udhëtim në Shtetet e bashkuara të Amerikës”,- thuhet në njoftimin për media nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë. Në njoftim sqarohet edhe se dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut do të jenë të vlefshëm deri në skadimin e afatit të tyre.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›