Maqedoni, Gruevski rizgjidhet lider i VMRO-DPMNE-së

Kryeministri Nikolla Gruevski është rizgjedhur me shumicë votash në postin e liderit të VMRO-DPMNE në punimet e Kongresit që përfundoi sot.
Ai pas besimit të dhënë nga delegatët deklaroi se është i gatshëm që pas besimit të dhënë të udhëheq partinë në katër vitet e ardhshme drejt realizimit të projekteve kaptiale politike, reformatore dhe ekonomike në vend.
Sipas tij, gjatë periudhës së ardhshme si fusha kyçe të prioriteteve do të jetë zhvillimi i vendit, integrimet euroatlantike, reformat dhe realizimi i qëllimeve strategjike të shtetit.
“Prioriteti ynë kyç do të mbetet anëtarësimi në NATO dhe BE, por në këtë rrugë kemi një pengesë, e kjo është problemi me emrin. Por, për këtë problem do të kemi kujdes maksimal. Ne duam zgjidhje, por qytetarët do të jenë ata që do të kenë fjalën e fundit në referendum”, deklaroi Gruevski.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe dialogu ndëretnik mbetet prioritete të Qeverisë.