E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni-Kosovë, thellohet bashkëpunimi ndërsektorial

Bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve do të realizohet në fushat e arsimit, ekonomisë, drejtësisë, transportit dhe sigurisë. Kjo u tha pas takimit që u zhvillua dje në Shkup mes zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Abdylhaqim Ademi dhe homologut të tij kosovar, Ramë Manaj, dhe ministres së Drejtësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendi.

"Janë shumë fusha ku do të ndërtojmë marrëveshje dypalëshe. Një fushë e veçantë e bashkëpunimit mbeten aspiratat tona të përbashkëta për integrime evropiane. Kjo natyrisht nënkupton bashkëpunimin në segmente të veçanta të saj, si në sferën e sigurisë, sigurisë së kufirit, bashkëpunimit në të gjitha segmentet qeveritare dhe institucionale mes Maqedonisë dhe Kosovës", deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylhaqim Ademi tha se mes Kosovës dhe Maqedonisë do të iniciohen marrëveshje në fushat e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe atë ekonomike. Ademi tha se me përvojën e saj, Maqedonia do të ndihmojë Kosovën në procesin euro integrues.

"Do të vazhdojmë edhe më tutje sigurisht në shkëmbimin e përvojave të deritanishme. Ne do të ndihmojnë njëri-tjetrin në këto procese, sepse konsiderojmë se vendi i Ballkanit është në BE dhe NATO, dhe dy vende kemi përcaktime politike që të jemi sa më shpejt anëtarë të tyre", deklaroi Ademi.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë, janë shpeshtuar takimet e përbashkëta të zyrtarëve të qeverive të të dyja vendeve. (Al-sat)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›