E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Kuvendi nis debati për njohjen e Kosovës

Kuvendi maqedonas po mban sot seancën për Rezolutën e propozuar nga partitë shqiptare për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Burime pranë koalicionit qeveritar bëjnë të ditur se rezoluta pritet të marrë dritë jeshile nga Kuvendi dhe pasdite Qeveria e Maqedonisë do të shpallë njohjen e Kosovës 

SHKUP-Njohja e Kosovës është cështja kryesore në seancën e sotme të Parlamentit të Maqedonisë. Kuvendi maqedonas po mban sot seancën për Rezolutën e propozuar nga partitë shqiptare për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në seancë janë të pranishëm të gjithë deputetët e partive shqiptare, BDI, PDSH dhe DR. Deputetët e opozitës të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe PRSD-së shprehën reagime lidhur me thirrjen urgjente të kësaj seancë, duke theksuar se bëhet fjalë për shkelje të procedurave.
Opozita kërkoi që në këtë seancë të jenë të pranishëm edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani i dorëzoi mbrëmë Parlamentit, rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rezoluta është nënshkruar edhe nga deputetët e PDSH-së, kryetari saj Menduh Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm Imer Aliu, në cilësinë e deputetëve.
Burime pranë koalicionit qeveritar bëjnë të ditur se rezoluta pritet të marrë dritë jeshile dhe pasdite Qeveria e Maqedonisë do të shpallë njohjen e Kosovës.
Partia më e madhe e mazhorancës VMRO-DPMNE ka zhvilluar mbrëmë takim të përbashkët me deputetët e pakicave, përfshirë edhe ato serb, për të sqaruar rezolutën për njohjen e Kosovës dhe proceset që i paraprijnë Maqedonisë që kanë të bëjnë edhe me këtë çështje.

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›