E Diel, 1 Nëntor 2026

Sawers: Vendimi i OKB nuk prek drejtpërdrejtë Kosovën

 

NEW YORK - Shefi i misionit të Britanisë së Madhe në OKB, ambasadori John Sawers i tha se mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të përcaktojë asgjë, por do të jetë një këshillë për diçka që ka ndodhur në të kaluarën e jo një udhëzim për të ardhmen. “Një nga shqetësimet tona ishte se propozimi serb ishte politikisht i motivuar. Megjithatë ne bëmë të qartë se ne besuam se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të duhet të marrë parasysh gjithë kontekstin e të gjitha ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke filluar me heqjen e njëanshme të autonomisë së Kosovës, në vitin 1989 deri në ditën e sotme” , tha Ambasadori Sawers.
Këtë deklaratë ambasadori Sawers e ka dhënë për BBC pas vendimit të OKB-së duke shtuar se nuk ka dyshim në ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dhe as në ligjshmërinë e njohjes së kësaj pavarësie nga Britania e Madhe.
“Nuk mendoj se do ta prek Kosovën drejtpërdrejt. Mendoj se Kosova do të vazhdojë përpjekjet e saj për të kërkuar njohje ndërkombëtare. Janë 48 vende, së bashku me Portugalinë, që e njohu Kosovën një ditë më parë, dhe ne shpresojmë se vendet e tjera, përfshirë edhe ato në rajonin e Ballkanit, do të lëvizin përpara në javët e ardhshme. Mendoj se njohjet e gjëra, nga bota islame, nga Afrika dhe Azia si dhe Amerika Latine, gjithashtu do të ndihmojnë në krijimin e momentit, për të konsoliduar pavarësinë e Kosovës. Prandaj këtu ka shumë punë për udhëheqësit politikë të Kosovës për të bërë. Gjithashtu është me rëndësi që Kosova të përqendrohet në zhvillimin e saj ekonomik dhe të respektojë të gjitha provizionet, të mbrojtjes së pakicave dhe të garancive që janë hartuar në planin Ahtisaari, që është bazë e pavarësisë së Kosovës, të cilën ne e kemi përkrahur fuqishëm”, theksoi Shefi i misionit të Britanisë së madhe në OKB.
(a.s/Balkanweb/BBC)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›