Maqedoni, MASH bën gabimin e radhës, e konsideron Kosovën ende Serbi
Ministria e Arsimit e Maqedonisë ka vazhduar edhe më tej politikën shpërfillëse ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar përfshirjen politike edhe në arsim. Kjo Ministri, se fundmi ka botuar një libër të lëndës së Shoqërisë për klasën e pestë, ku vihen re jo vetëm gabime në aspektin e përmbajtjes, por edhe në atë teknik. Në kapitullin ku flitet për sipërfaqet e shteteve fqinje, “krahina autonome e Kosovës dhe Serbia" qëndrojnë në një hapësirë të përbashkët, çka nënkupton se kjo ministri e konsideron Kosovën si pjesë së Serbisë. Një tjetër çështje lidhet me flamurin e Kosovës. Në fotografinë e botuar në libër nuk janë gjashtë yje, por vetëm pesë, edhe ato të renditura në rreth dhe jo në formën e gjysmë harkut. I menjëhershëm ndaj këtyre gabimeve ka qenë reagimi i Demokracisë së Re. Gjylymsere Kasapi, sekretare për arsim pranë DR-së theksoi se, në Maqedoni vazhdon diskriminimi i kulturës shqiptare. “Ajo që bie në sy edhe një herë është se vazhdon diskriminimi i kulturës shqiptare, duke mos përmendur asnjë artist, shkrimtar apo piktor shqiptar, edhe pse nga ky libër duhet të mësojnë edhe nxënësit shqiptarë”, deklaroi Kasapi. Kasapi ka pyetur publiksht Ministrinë e Arsimit, posaçërisht zëvendësministren nga radhët e BDI-së, Lindita Qazimi, se a është në dijeni se çfarë po ndodh në sektorin ku ajo ushtron funksionin e saj? “A e di zonjusha Qazimi në bazë të cilit kriter janë zgjedhur anëtarët e komisioneve të cilët kanë miratuar këtë tekst të librit për lëndën e Shoqërisë? Po ashtu, pyesim se a ka ndonjë shqiptar i cili vlerëson korrektësinë e teksteve shkollore? Të gjitha këto pyetje do të mbetet si çdoherë enigmë për qytetarët, për arsimtarët, për prindërit dhe për nxënësit, sikurse edhe për Demokracinë e Re”, deklaroi Kasapi.
Ajo kërkoi nga Lindita Qazimi të japë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i zëvendësministres së Arsimit. Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar në Maqedoni kanë kërkuar tërheqjen e librit nga përdorimi dhe mundësinë për përmirësimin e gabimeve trashanike. Kjo nuk është hera e parë që Maqedonia shtrembëron faktet lidhur me Shqipërinë dhe Kosovën. Më herët, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë botoi enciklopedinë maqedonase, në të cilën u shtrembëruan faktet historike. Në këtë tekst shkruhej: “Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata, kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre”. Nga Shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë deklaruan se Enciklopedia maqedonase nuk ka asgjë të përbashkët me shkencën pasi mesazhi kryesor i saj është urrejtja dhe nxitja e ndarjes mes bashkësive entike. Për këtë arsye u kërkua rishikimi i Enciklopedisë dhe paraqitja e fakteve reale ndaj shqiptarëve të Maqedonisë dhe historisë.
Thaçi: “Integrimi i veriut do të bëhet sipas Kushtetutës”
Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka vizituar dje lagjen “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, dhe me këtë rast është zotuar për vendosjen e ligjit në këtë zonë. Në këtë vizitë, Thaçi shoqërohej nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Pushtetit Lokal Sadri Ferati, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza dhe kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati. Kryeministri Thaçi ka thënë se ka ardhur në veri për të përmbushur zotimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me rikthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre. Kreu i qeverisë ka thënë se me udhëheqjen komunale ka diskutuar për investime shtesë për rikthimin e familjeve tjera në dyqind shtëpi që duhen të rindërtohen e që është një projekt që do të kushtoi pesë milionë euro. Po ashtu ai premtoi se në mbledhjen e radhës të Qeverisë do të diskutojmë për hapet e ardhshëm në implementimin e këtij projekti për rindërtimin dhe ndërtimin e 200 shtëpive tjera në këtë pjesë të qytetin prej nga janë larguar qytetarët më herët.
Ndërsa Ministri Bajram Rexhepi, ka siguruar banorët e Lagjes “Kroi i Vitakut” dhe të gjithë veriut të Mitrovicës se institucionet vendore të mbështetura nga ato ndërkombëtare do të garantojnë siguri të plotë për ata dhe pronat e tyre.
Serbi, “Blic”: Mlladiç nuk i dëgjoi urdhrat e Millosheviçit
Ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviç i ka kërkuar komandantit të forcave ushtarake të Republikës Serbe, Ratko Mlladiç që të tërhiqte artilerinë e rëndë gjatë kohës së rrethimit të Sarajevës, shkruan gazeta serbe "Blic". Gazeta publikon një inçizimtë bisedës mes Millosheviçit dhe gjeneral-kolonelit Milan Gvero. Në bisedë, Millosheviçi kërkon nga Gvero ta bindë Mlladiçin që të tërheq artilerinë e rëndë dhe e bind se Bosnja nuk do ta shfrytëzojë këtë situatë. Biseda ndodh në vjeshtë të vitit 1995, në kohën kur në krye të UNPROFOR-it është komandanti Bernar Zhanvie dhe pak para sulmeve të NATO-s mbi pozitat serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Nga inçizimi mund të kuptohet se Millosheviçi e ka kontraktuar ndërprerjen e rrethimit të Sarajevës me udhëheqësit politikë të serbëve boshnjakë, por për këtë duhet të bindte edhe Ratko Mlladiçin, i cili në atë kohë nuk ka qenë në marrëdhënie të mira me liderin e serbëve boshnjakë, Radovan Karaxhiç.
Greqi, alarm nga virusi i Nilit, 34 të infektuar
Numri i rasteve të infektuar me virusin e Nilit në Greqinë Veriore ka shkuar në 34. 11 nga këto raste janë konfirmuar në 24 orët e fundit. Shqetësim ka ngjallur fakti se ndërmjet të sëmurëve, për herë të parë ndodhet edhe një 12 vjeçare e prekur nga meningjiti, që kurohet në spitalin e Sëmundjeve Infektive në Selanik, pa rrezik për jetën. Ministria e Shëndetësisë greke ka deklaruar masa të tjera shtesë midis të cilave edhe karantinë për dhurimin e gjakut për një periudhë të paktën një mujore, në zonat ku janë shfaqur pacientët me encefalit apo meningjit, sëmundje të shkaktuara nga virusi në fjalë me anë të pickimit të mushkonjave.
Organet e shëndetësisë pasi kanë marrë një ndihmë prej 40 mijë euro nga qeveria kanë dyfishuar spërkatjet me pesticide në zonat periferike të Selanikut, në Veria, Kozan, Kilkiz, Gjanitsa, Larisa dhe Halkidhiki. Virusi i Nilit u shfaq për herë të parë në Greqi në fillim të muajit duke shkaktuar edhe vdekjen e tre personave, të prekur nga menigjiti apo encefaliti. Qendra e Parandalimit të Sëmundjeve Infektive, në një përpjekje për informimin e popullsisë, ka publikuar edhe të dhëna të reja përsa i përket virusit në fjalë dhe mbrojtjes prej tij. Infektimi me virusin e Nilit konfirmohet vetëm nga analizat laboratorike dhe parandalimi ka kryesisht objekt informimin e popullisë dhe marrjen e masave për dëbimin e mushkonjave, përderisa nuk ka as vaksinë për këtë virus dhe as antibiotik që të mund ta përballojë.
15 Gusht 2010