SHBA, Obama mbështet ndërtimin e xhamisë pranë “Ground Zero”
Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka bërë të ditur se është dakord me ndërtimin e një xhamie dhe të qendrës kulturore “Cordoba Center” që një shoqëri myslimane kërkon të ndërtojë pak metra nga “Ground Zero”, ku gjendeshin kullat binjake që u sulmuan 11 shtator nga terroristët e Al Kaedës. Obama është shprehur se në bazë të principit të lirisë fetare, myslimanët kanë të drejtën të ndërtojnë “Cordoba”-n.
Kundërshtimet
Projekti është kundërshtuar nga shumë njujorkezë dhe amerikanë të tjerë, të cilët thonë se ndërtimi nuk do t’i respektojë kujtimet e më shumë se 2.700 njerëzve, të cilët humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit në Nju-Jork. Politikanët konservatorë, si ish- kandidatja republikane për nënpresident, Sarah Palin, dhe republikani Njut Gingriç, ish-folës i Dhomës së Përfaqësuesve, gjithashtu kanë bërë thirrje për tërheqjen e projektit. Republikanët iu përgjigjën menjëherë deklaratës së presidentit. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga Nju Jorku, Pitër King, tha se “Presidenti Obama e ka gabim”. Ai tha se zbatimi i këtij plani është një veprim emocionalisht i papërshtatshëm dhe i pakujdesshëm.
Deklarata
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, në një takim me diplomatë nga vendet islamike dhe anëtarë të komunitetit të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, Obama tha se myslimanët kanë të drejtë të njëjtë që ta praktikojnë fenë e tyre si gjithë të tjerët në Amerikë. Obama tha se kjo e drejtë përfshin edhe mundësinë e ndërtimit të vendit të adhurimit dhe qendrës së komunitetit, në pajtim me ligjet amerikane për ndërtimin e objekteve të tilla.
Presidenti shtoi se përkushtimi kushtetues i Amerikës për lirinë e religjionit duhet të jetë i “palëkundur” dhe pa përjashtim për religjione të veçanta. “Më lejoni të jem i qartë: Si qytetar dhe si president, unë besoj se myslimanët e kanë të drejtën ta praktikojnë religjionin e tyre ashtu si çdo njeri në këtë vend.
Kjo përfshin të drejtën për të ndërtuar vend të adhurimit dhe qendër komunitare në pronë private në Manhatanin e ulët, në pajtim me ligjet dhe rregulloret lokale. Kjo është Amerikë, dhe përkushtimi ynë për lirinë e religjionit duhet të jetë i palëkundur”, theksoi Obama. Presidenti amerikan tha se liria e religjionit ka qenë ajo që ka bërë Amerikën të dallohet nga të tjerët. Gjatë kursit të historisë sonë, religjioni ka lulëzuar brenda kufijve tanë për shkak se amerikanët e kanë pasur të drejtën të adhurojnë ashtu siç kanë dashur, përfshirë të drejtën që të mos besojnë fare në religjion. Është trashëgim i urtësisë së themeluesve tanë që Amerika mbetet thellësisht religjioze. Një komb, ku njerëzit me besime të ndryshme, janë në gjendje të bashkekzistojnë në paqe dhe me respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin, është në kundërshtim të plotë me konfliktin religjioz që po vazhdon gjetkë në botë”, tha Obama. Ai, megjithatë, shtoi se ka mirëkuptim edhe për zërat që e kundërshtojnë ndërtimin e qendrës.
Projekti
Qendra e propozuar myslimane, që parashihet të ngrihet dy blloqe nga vendi ku u shembën dy kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, pritet të ketë edhe dhomë për lutje. Këto do të përfshihet ndërtimi i një xhamie dhe i qendrës kulturore “Cordoba Center” nga një shoqëri myslimane, e cila ka propozuar që vendi i ndërtimit të jetë pak metra nga “Ground Zero”. Obama i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë gjatë darkës së iftarit me rastin e muajit të Ramazanit.
Pakistan
Konfirmohet një rast me kolerë në zonat e përmbytura
Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se në zonat e përmbytura në Pakistan ka shpërthyer kolera. Të paktën një rast është konfirmuar në qytetin Mingora në veriperëndim të vendit, tha një zëdhënës i zyrës së OKB-së për koordinimin e ndihmës humanitare. Në zonën e katastrofës më shumë se 36.000 vetë vuajnë nga sëmundje që shkaktojnë diare. Për t'u njohur nga afër me situatën në Pakistan dje shkoi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. Nga përmbytjet kanë humbur jetën 1.600 vetë. Rreth 14 milionë vetë janë të prekur nga përmbytjet.
Rusi
Mbërrijnë aeroplanët me ndihma nga SHBA-të
Tre aeroplanë amerikanë me pajisje kundër zjarreve, përfshirë dhe vegla dhe pajisje mjekësore kanë mbërritur në Moskë për të ndihmuar rusët që përballen me zjarret e shumta. Dy aeroplanë transportues C-130 zbritën në aeroportin Vnukovo mëngjesin e ndihma, ndërsa më vonë mbërriti edhe aeroplani i tretë çarter nga Kalifornia, me urdhër të guvernatorit të shtetit, Arnold Shvarceneger. Ministria e Emergjencave në Moskë tha se dërgesat kanë pajisje tepër të nevojshme dhe janë gjest të cilin Rusia do ta mbajë në mend gjithmonë.
SHBA
Bisedime me zyrtarët irakianë për mbrojtjen
Zyrtarët amerikanë dhe ata irakianë kanë filluar bisedimet mbi të ardhmen e marrëdhënieve dy palëshe në fushën e mbrojtjes, pas deklaratës së politikanëve irakianë për pamundësinë e formimit të qeverisë së re dhe afrimin e afateve të tërheqjes së trupave të SHBA-ve. Fokusi i ushtrisë amerikane në Irak zhvendoset tërësisht në këshillimin dhe stërvitjen e forcave irakiane. Zyrtarët amerikanë thonë se ata po punojnë për zbatimin e planit për tërheqjen e plotë, por ata janë të hapur për bisedime nëse një gjë e tillë kërkohet nga qeveria e Irakut.
Irak
Pranohet oferta për ndërtimin e një milion ndërtesave
Bagdadi e ka pranuar ofertën e 25 kompanive për ndërtimin e një milionë banesave të reja në mbarë vendin. Megjithëse detajet nuk janë harmonizuar krejtësisht, pritet që ndërtimi të fillojë në muajt e ardhshëm. Në projektin do të marrin pjesë 117 kompani nga Azia, Amerika Veriore dhe Europa. Ndërtesat do të ndërtohen në qytetin jugor Basra, në Bagdad dhe në qytetin verior Mosul. Më herët nuk ishte e qartë nëse Bagdadi do të binte dakord me këtë ofertë, që duket se do t’i hapë rrugën zhvillit të këtij vendi.
15 Gusht 2010