E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, legalizimet dhe Kodi Zgjedhor, tri ligjet e kthyera mbrapsht nga Topi



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, në këto vite në krye të Presidencës, tri ligje të rëndësishme, dy prej të cilave janë cilësuar primare në programin politik të PD-së, ndërsa ligji i tretë vinte si rezultat i konsensusit PD - PS. Duket se kreu i shtetit ka filluar t’i kthejë “reston” qëndrimit të prerë të maxhorancës në fund të legjislaturës parlamentare, e cila rrëzoi tri dekrete të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese.
Pak kohë më parë, kreu i shtetit nuk firmosi ndryshimet në projektligjin “Për faljen”, një tjetër ligj i hartuar dhe i miratuar me votat e PD-së, ndërsa sjell kufizim të kompetencave të Presidentit në lidhje me faljen apo uljen e dënimit të të burgosurve. Ligji hyri në fuqi pa firmën e presidentit Topi, duke nënkuptuar se ky i fundit nuk ndante të njëjtin qëndrim me PD-në. Ndërsa dy ditë më parë, Presidenti Topi ktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, duke i cilësuar këto ndryshime në kundërshtim me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pritet që në shtator marrëdhëniet e tendosura midis maxhorancës dhe Presidentit të “ndizen” edhe më shumë, pasi me fillimin e legjislaturës së re parlamentare, Presidenti do të dërgojë jo pak, por 6 dekrete për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, ndërsa ka premtuar se do t’i shqyrtojë në mënyrë rigoroze të gjitha propozimet e maxhorancës për dekretim nga ana e tij.
Legalizimet
Presidenti Bamir Topi refuzoi rreth dy vjet më parë të firmosë një prej ligjeve të qeverisë, atë për legalizimin e zonave informale. Ishte hera e parë që prej emërimit si President që kreu i shtetit, Bamir Topi, i ktheu Kuvendit një ligj. Në dekretin e tij ai specifikoi se deputetët duhet ta rishohin edhe njëherë ligjin “Për legalizimin e zonave informale”. Atë kohë motivi i kthimit të ligjit nuk u bë publik në mënyrë zyrtare. Shkaku që ky ligj u rrëzua ishte se ai linte pas dore pronarët e ligjshëm të tokave, duke mos përcaktuar afate konkrete për kompensimin e tyre.
Kodi Zgjedhor
Presidenti Topi ktheu në Kuvend për rishqyrtim Kodin e ri Elektoral që u miratua me konsensus të gjerë, me pretendimin se ai nuk mund ta dekretonte një ligj të tillë më vonë se 9 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të reja. “Ligjin e ardhur për shpallje e konsideroj një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për miradministrimin e procesit zgjedhor, por gjej në të arsye për ta kthyer edhe njëherë në Kuvend për rishqyrtim”, - u shpreh Topi 10 ditë pasi i kishte mbërritur ligji i miratuar mes PD-PS në Presidencë. Arsyeja për të cilën Presidenti nuk e dekretoi këtë ligj lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij. Ky nen ka këtë formulim: “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Sipas kreut të shtetit, “ky rregullim, bie ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Neni 8 ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore, zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”.
“Duke ushtruar kompetencën time kushtetuese kam besim se Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj”, - përfundon motivimi i Presidentit të Republikës drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
Pronat
Vetëm dy ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka rikthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin e pronave, të miratuara vetëm me votat e maxhorancës. Kreu i shtetit, nëpërmjet një sqarimi të detajuar ligjor, i kërkon Kuvendit ta rishqyrtojë dhe një herë ligjin, pasi, sipas tij, ai bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vetëm pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndryshimet në ligjin e pronave, që i jepnin të drejtë AKKP-së të shqyrtonte titujt e pronësisë, të njëjta ndryshime që janë miratuar nga maxhoranca pak kohë më parë. Kjo vihet në dukje edhe nga kreu i shtetit, i cili thekson se: “Rregullimet e bëra në ligjin e ardhur për shpallje janë, në thelb, të njëjta me ligjin e marrë në shqyrtim dhe të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e sipërcituar. Arsyetimi dhe vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese janë qartazi të referueshme për rregullimet e ligjit të ri. Vlerësoj se, jo vetëm për shkak të mospërputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe sepse neni 132 i Kushtetutës ka përcaktuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare, ligji i ardhur për shpallje ka nevojë për rishikim”, - shkruhet midis të tjerave në argumentimin e detajuar ligjor të presidentit Topi.

Dekretet për kthimin e ligjeve

Presidenti Topi dekreton kthimin dhe shqyrtimin edhe njëherë në Kuvend të Ligjit Nr. 10019, datë 18.11.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Në mbështetje të neneve 93 dhe 85, pika 1, të Kushtetutës,
D E K R E T O J:
Kthimin dhe shqyrtimin edhe njëherë në Kuvend të Ligjit Nr. 10 019, datë 18.11.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Nr. i dekretit 5960
Tiranë, më 02.12.2008

Presidenti Topi dekreton kthimin për rishqyrtim të Ligjit Nr. 9895, datë 10.04.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin, dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j:
Kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të Ligjit Nr. 9895, datë 10.04.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
Nr. Dekretit 5687
Tiranë, më 29.04.2008

Presidenti Topi dekreton kthim për rishqyrtim të Ligjit Nr. 6664, datë 13.08.2010.
Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j:
Kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të Ligjit Nr. 10308, datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”
Nr. i dekretit 6664
Tiranë, më 13.08.2010

Shoqata e ish-Pronarëve vlerëson kthimin e ligjit të Pronave nga Presidenti

Duke mbështetur vendimin e Presidentit, i cili një ditë më parë ka kthyer ligjin e ndryshuar për kthimin dhe kompensimin e pronës për t’u rishqyrtuar në Kuvend, në emër të ish-pronarëve, sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me drejtësi” i ka bërë thirrje Parlamentit të reflektojë mbi qëndrimin e Presidentit për këtë ligj.
Sekretari Myrshit Vorpsi tregon arsyet pse nuk duhej dekretuar ky ligj. “Ne si shoqatë mbështesim vendimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili e ka kthyer ligjin e ndryshuar për kthimin dhe kompensimin e pronës për t’u rishqyrtuar në Kuvend. Për mendimin tonë, Presidenti e ndërmori këtë veprim për shkak të kushtetutshmërisë së tij dhe zbatimit në të mirë të kësaj çështjeje të rëndësishme, që mban peng pronat e pronarëve të ligjshëm. Madje këtë gjë Presidenti e sqaroi më së miri në qëndrimin e tij kur tha që ligji i dërguar për dekretim, në thelb, ishte apo ai që kishte deligjitimuar edhe Gjykata Kushtetuese. Qëndrimi i shoqatës ka qenë që AKP-ja ka plotësisht të drejtë të verifikojë apo dhe të hetojë çdo vendim të marrë për kthimin e pronave, por jo të vendosë për këto vendime. Çdo shkelje të konstatuar, kreu i kësaj agjencie duhet t’ia drejtojë gjykatës dhe jo të vendosë mbi vendimit e Agjencisë së Kthimit të Pronave të marra në vite”, - është shprehur Vorpsi.

Berisha në Dhërmi: “Qeveria ka investuar 5 miliardë lekë në rrugë dhe infrastrukturë”

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri Olldashi, deputetë dhe nga kryetari Bashkisë së Himarës, Bollano, inauguroi dje rrugën që zbret në Dhërmi dhe në Drimadhë, një investim ky prej 230 milionë lekësh. Kryeministri tha se investimet në zonën e Jugut dhe në mbarë Shqipërinë do të vijojnë pasi ky është prioriteti kryesor i kësaj qeverie; investime këto që nuk do të mbeten vetëm në kuadrin e infrastrukturës, por edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm si në ujësjellës, kanalizime, energjetikë dhe në bujqësi. Kryeministri premtoi se më të mëdha dhe më të fuqishme do të jenë investimet e viteve që vijnë, se kjo qeveri është e vendosur të bëjë gjithçka për një fytyrë të vërtetë europiane, duke garantuar se në epiqendër të kësaj politike qëndron qytetari. Mbas inaugurimit, kryeministri Berisha u ndal në plazhin e Drimadhësit, ku u takua me pushues dhe pati një bashkëbisedim me ta. “Sot inauguruam së bashku rrugën që zbret në Dhërmi dhe në Drimadhë, një investim ky prej 230 milionë lekësh dhe një ndërtim i standardeve më të mira. Dua të përgëzoj kompaninë për punën shumë të mirë që ka bërë, dua të garantoj kryeplakun e Dhërmiut dhe të gjithë kryepleqtë e këtyre fshatrave, kryetarin e Bashkisë, se ndërtimi i rrugëve që zbresin drejt detit, pasi të përfundojë dhe rruga e Palasës, do të vazhdojë me ndërtimin e plotë të të gjithë infrastrukturës së fshatrave të Bregut. Qeveria ka investuar shuma të mëdha, rreth 5 miliardë lekë në rrugë dhe infrastrukturë, por nuk e konsideroj të përfunduar punën pa e rrjetëzuar atë në të gjithë gjatësinë e Bregut, në mënyrë që vitin e ardhshëm, turistët që vijnë këtu, së bashku me ndryshimin e madh që konstatojnë këtë vit, të gjejnë një breg europian për nga infrastruktura dhe të pakrahasueshme me asnjë bregdet tjetër për nga bukuritë, ujin e pastër, prodhimet e mrekullueshëm dhe mikpritjen e shkëlqyer të banorëve të Bregut”, - është shprehur Berisha.
Kryeministri premtoi se më të mëdha do të jenë investimet e qeverisë vitet e ardhshme. “U ndala në këto investime për t’ju garantuar ju se më të mëdha dhe më të fuqishme do të jenë investimet e viteve që vijnë, se kjo qeveri është e vendosur të bëjë gjithçka për një fytyrë të vërtetë europiane dhe dua t’ju garantoj, të dashur qytetarë, se në epiqendër të kësaj politike qëndron qytetari. Ne përparojmë para së gjithash dhe mbi të gjitha kemi qytetarin, jetën e tij, kushtet e tij të jetesës”, - është shprehur Berisha, ndërsa nuk la pa prekur dhe qëndrimin e opozitës, duke e cilësuar atë një qëndrim krejtësisht nihilist. “Krahas këtyre zhvillimeve, krahas këtyre fakteve dhe arritjeve, ekziston sot edhe propaganda nihiliste, disidente, besnike e kulturës së Bllokut. Vetëm Blloku mohonte çdo gjë që nuk i interesonte. Kështu, rrugën e etërve po ndjekin me fanatizëm bijtë e tyre. Ta shohësh Shqipërinë nga Kullat e Fidelit të duket e zeze sterrë, por le të dalin këtu në dritë, të vijnë në breg e ta shohin Shqipërinë nga bregu. Këtu do të shohin një Shqipëri krejt tjetër, e cila po ndryshon me shpejt dhe më shumë se çdo vend tjetër”, - është shprehur Berisha.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›