E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Parlamenti përgatitet për zgjedhjen e qeverisë

Parlamenti i Republikës së Maqedonisë po zhvillon përgatitjet për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Kryeparlamentari, Trajko Veljanoski, së bashku me koordinuesit e grupeve të deputetëve, nesër do te përcaktojnë rrjedhën e mbledhjes për zgjedhjen e Qeverisë së re.
 

Renditjen e deputetëve të cilët do të marrin pjesë në mbledhje i përcakton kryetari i Parlamentit , sipas Rregullores, në mënyrën e cila siguron pjesëmarrje në debat të deputetëve nga partitë e ndryshme politike të përfaqësuara në Parlament. Fillimi i mbledhjes është caktuar për të mërkurën në mesditë, ndërsa duhet të përfundojë ditën e ardhshme në mesnatë me zgjedhjen e qeverisë.
Pas kësaj mbledhjeje, mandatari, përkatësisht kryeministri tashmë i zgjedhur, në Parlament do t`i parashtrojë emrat e zëvendësministrave, të cilët do të zgjidhen në mbledhjen kuvendore që do të caktohet për të premten në mesditë.
 

Në mbledhjen për zgjedhjen e qeverisë së re, siç parashihet me Rregulloren për punën e Kuvendit, mandatari Nikolla Gruevski duhet ta arsyetojë programin dhe propozimin për përbërje të qeverisë para deputetëve. Votimi për zgjedhje të qeverisë kryhet sipas propozimit për përbërje të qeverisë në tërësi me votim publik. Nikolla Gruevski, i cili është kryeministri i gjashtë që nga pavarësia e Maqedonisë, për herë të tretë fiton mundësinë të formojë qeverinë, pasi VMRO-DPMNE fitoi në zgjedhjet në vitet 2011, 2008 dhe 2006.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›