E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni/ Partitë shqiptare: Negociata dhe jo përmendore

Kryetari i komunës së Shkupit, Koce Trajanovski riaktualizon mundësinë e vendosjes së përmendores së Aleksandërit të Madh në sheshin kryesor të kryeqytetit.
Ai ka paralajmëruar se përgjatë dy viteve të ardhshme do të ndryshojë pamjen e sheshit të Shkupit. Kjo deklaratë ka irrituar partitë shqiptare në Shkup. Subjekti shqiptar në pushtet, BDI, ka porositur partnerin e koalicionit të mos merret me përmendore dhe provokime, por të angazhohet në ndërtimin e strategjisë për tejkalimin e problemit me Greqinë lidhur me emrin për të ta nxjerrë vendin nga izolimi i cili i kanoset.
"Ne po punojmë që në vend të ndërtimit të statujave dhe përmendoreve, Republika e Maqedonisë, udhëheqësit e vendit dhe partitë politike, të ndërtojnë strategji, pozicione, dhe me ato pozicione ti qasen procesit të negociatave për të dalë nga bllokada dhe izolimi i cili haptazi i kanoset vendit", deklaroi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
Edhe partia në opozitë Demokracia e Re, iniciativën për vendosjen e përmendores së Aleksandërit të Madh në sheshin e kryeqytetit e vlerëson si të dëmshme për vendin.
"Kjo dëshmon se qeveria është e gatshme të bëjë beteja në mulli të erës dhe të mos përballet me realitetin dhe seriozitetin e situatës politike në vend, rajon dhe më gjerë. Të gjithë miqtë e Maqedonisë udhëzojnë dhe sugjerojnë të heqim dorë nga i ashtuquajturi antikvizim dhe të gjithë na thonë se për momentin Maqedonia nuk ka nevojë të merret me këto projekte por ka nevojë që të vazhdojë me procesin e negociatave. Sigurisht këto veprime janë në kundërshtim me procesin e negociatave", deklaroi Sulejman Rushiti, deputet i DR-së.
Ndërkaq, asnjëra nga partitë maqedonase nuk ka dashur të komentojë iniciativën e kryetarit të qytetit të Shkupit për vendosjen e përmendores së Aleksandërit të Madh në sheshin e kryeqytetit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›