E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Selmani, i treti në zgjedhjet presidenciale



Edhe këtë herë asnjë shqiptar nuk do të jetë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, porse për herë të parë, një kandidat shqiptar ka arritur të mbledhë 15 për qind të votave. Imer Selmani, kryetari i Partisë Demokracia e Re, është pozicionuar i treti në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, pas Gjorgji Ivanovit të VMRO-DPMNE-së dhe Ljubomir Fërçkovskit të LSDM-së, të cilët kalojnë në balotazh.

Zgjedhjet

Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni merrnin pjesë 7 kandidatë. “Sipas këtyre rezultateve paraprake në rrethin e dytë kalojnë kandidati presidencial Gjorgji Ivanov me 343 mijë e 374 vota dhe kandidati presidencial Ljubomir Fërçkovski i cili ka fituar 200 mijë e 316 vota”, - deklaroi Aleksandër Novakovski, kryetar i KSHZ-së.

Selmani në këto zgjedhje ka arritur të fitojë 146 mijë vota ose 15%, i pasuar nga Lube Boshkopvski i cili ka vetëm një mijë vota më pak 145 mijë. Agron Buxhaku nga BDI-ja ka fituar vetëm 73 mijë e 567 vota gjegjësisht 7.51%. Nano Ruzhin nga PLD-ja ka arritur të grumbullojë 39 mijë e 645 vota ndërsa e fundit radhitet kandidatja e PDSH-së, Mirushe Hoxha, me 30 mijë e 381 votë ose 3.09%.

Ndërkohë, në zgjedhjet lokale që po zhvillohen njëkohësisht, Partia Demokratike Shqiptare duket se është e humbura e madhe, pas përçarjes me Demokracinë e Re. BDI-ja në raundin e parë ka shënuar fitore në 4 komuna, Dibër, Zajaz, Osllomej dhe Saraj, ndërkohë që do të jetë në balotazh në 10 të tjera. BDI-ja do të përballet me PDSH-në në komunën e Tearcës, Tetovës, Bogovinës dhe Vrapçishtës, ndërsa me Demokracinë e Re në komunën e Likovës, Haraçinës dhe Çairit. Partia e Ahmetit, në raundin e dytë zgjedhor do të përballet edhe me dy kandidatë të tjerë, në Gostivar me kandidatin e pavarur Rufi Osmani dhe në Strugë me liderin e Partisë për Ardhmëri Evropiane Fijat Canovski. Ndërsa në komunën e Dollnenit, BDI-ja është në balotazh me VMRO-DPMNE-në.

Sakaq, rezultatet në Plasnicë, Zhelinë, Mavrovë dhe Studeniçan, janë ende të paqarta, por minimalisht kandidatët shqiptarë do të jenë në balotazh. Prej këtyre komunave, në Plasnicë, Mavrovë, Dollnen dhe Studeniçan, shqiptarët janë pakicë. Ndërkohë, në komunën e Brevenicës, me shumicë shqiptare, ka fituar kandidati maqedonas.

Selmani: Shans i humbur

Kandidati për president, Imer Selmani, e cilësoi një shans të humbur për Maqedoninë rezultatin e zgjedhjeve. “Konstatoj me keqardhje se ka parti politike ose se patë parti politike të cilat penguan shansin që për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë të garojë një kandidat presidencial shqiptar, që do të thoshte edhe një demokratizim plus më i madh i shoqërisë të shtetit tonë, por është edhe e drejtë demokratike e çdo partie politike dhe çdo individi që të kandidohet dhe të dalë në gara”, – deklaroi Selmani.

Gjithsesi, ai u shpreh i kënaqur me pozicionimin e tij. “Me kënaqësi konstatoj së në garat presidenciale jam kandidat i tretë, pas Gjorgji Ivanovit dhe zotit Fërçkovski”, - deklaroi dje kandidati presidencial dhe kryetar i DR-së, Imer Selmani. Ai theksoi: “Në garat lokale komunale për kryetarë komunash jemi partia e dytë pas BDI-së dhe para PDSH-së”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›