E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u shmangën subjektet e tjera, përzgjedhja e Delijorgjit



Në kërkesën për gjykim, prokurorët sqarojnë si hynë në “valle” të pandehurit e tjerë, me funksione më të ulëta. Me synim për të siguruar përfitime të padrejta jomateriale, nëpërmjet shmangies nga pjesëmarrja në përzgjedhje për shitjen e municioneve për demontim, të ndërmarrjeve me profil ushtarak të MM dhe favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albdemil” sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë amerikane “SAC inc”, si dhe me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta materiale të këtyre shoqërive për caktimin e çmimeve të shitjes së municioneve/shtimjeve sipas kërkesës së “SAC inc”, kërkesë e formuluar nga i pandehuri Ylli Pinari në bashkëpunim me të pandehurin Mihal Delijorgji, janë kryer disa veprime të kundërligjshme. I pandehuri Ylli Pinari, në cilësinë e ish-drejtorit të MEICO-s, ka krijuar si dokument shkresën nr. 1181, datë 15.11.2007 në kompjuterin e tij dhe ka nxitur të pandehurin Lavdi Shatro, ish-drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan, për të firmosur, vulosur dhe dërguar në Komisionin e Miratimit të Çmimeve, shkresën nr. 1181, datë 15.11.2007, me të dhëna që diheshin se ishin të rreme, duke pasqyruar në përmbajtjen e kësaj shkrese, pamundësinë e demontimit të municioneve/shtimjeve të kalibrave 20 mm-152 mm, nga kjo uzinë, ndonëse kjo uzinë kishte kapacitetet e duhura dhe kishte realizuar dhe eksperimentuar demontimin e disa nga kalibrat e këtyre municioneve.

Me këtë veprim, të pandehurit Ylli Pinari dhe Lavdi Shatro, kanë kryer veprën penale “falsifikimi të dokumenteve” nga personi i cili ka për detyrë të lëshojë dokumentin, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi i dytë dhe i tretë i K. Penal. Gjithashtu, i pandehuri Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIBM në MM, e cila kishte në vartësi ndërmarrjet me profil ushtarak, ka nxitur dhe ndihmuar të pandehurin Fiqiret Mato, drejtor i Uzinës Mekanike Gramsh, të përpilojë dhe të dërgojë në Komisionin e Miratimit të Çmimeve, shkresën nr. 179/1, datë 15. 11. 2007, me të dhëna që diheshin se ishin të rreme, duke pasqyruar në përmbajtjen e kësaj shkrese, pamundësinë e demontimit të municioneve/shtimjeve të kalibrave 20 mm-152 mm, nga kjo uzinë, ndonëse kjo uzinë kishte kapacitetet e duhura dhe kishte realizuar dhe eksperimentuar demontimin e disa prej kalibrave të këtyre municioneve. Kjo edhe për faktin, sepse gjatë realizimit të procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve/shtimjeve të këtyre kalibrave nga shoqëria “Albdemil” sh.p.k., kjo shoqëri ka lidhur kontratën nr. 1, datë 25.02.2008, me këtë uzinë për çmilitarizimin e lëndës plasëse nga predhat e municioneve/shtimjeve, kalibër 100 mm. Me këtë veprim, të pandehurit Shkëlzen Madani dhe Fiqiret Mato kanë kryer veprën penale “falsifikim të dokumenteve” nga personi i cili ka për detyrë të lëshojë dokumentin, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi i dytë dhe i tretë i K. Penal.

Komisioni i Miratimit të Çmimeve, shkeljet

I pandehuri Armand Tartari, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Programimit, Buxhetimit në MM, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve, në bashkëpunim me të pandehurit Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIBM në MM dhe Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, si dhe në bashkëpunim me anëtarët e këtij komisioni, të pandehurit Denis Hajdari, Fatbardh Kuçi, Gëzim Oshafi, me gradën ushtarake major dhe Jorgo Mino, me gradën ushtarake kolonel, kanë caktuar si çmime të shitjes së municioneve/shtimjeve, dyfishin e çmimeve të ofertës së shoqërisë amerikane “SAC inc”, që ka përgatitur i pandehuri Ylli Pinari, të përcjella këtij komisioni prej tij me synim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale të shoqërisë “Albdemil” sh.p.k. Gjithashtu, të pandehurit Pinari dhe Madani kanë ndihmuar këtë komision në vendimmarrjen e kundërligjshme të tij, duke dërguar dy përgjigjet e falsifikuara të ndërmarrjeve me profil ushtarak dhe duke fshehur në këtë mënyrë mundësitë, kapacitetet, kostot dhe çmimet për municionet/shtimjet e kalibrave 20mm-152mm.

Vendimi i komisionit

Pavarësisht nga ky fakt, anëtarët e këtij komisioni kanë marrë vendimin nr. 1, datë 19.11.2007 në kundërshtim me metodikën që përcaktonin aktet nënligjore për nxjerrjen e çmimit, pra pa analizuar elementet dhe kriteret e veçanta të përbërjes së çmimit si: investimin, koston faktike të punës së bërë, ndikimin në mjedis dhe vlerën e nënprodukteve të përfituara nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve, si dhe nuk kanë përfshirë në çmim shpenzimet e transportit. Për të realizuar këtë qëllim kriminal, të pandehurit kanë vepruar në shkelje të pikës 2, kreu IV i vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” dhe në shkelje të pikës 5 të urdhrit të MM nr. 417, datë 02.04.2007 “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Çmimeve të Armëve, Teknikës, Pajisjeve, Municioneve dhe Lëndëve Eksplozive të hequra nga armatimi dhe përdorimi në Forcat e Armatosura”, duke mos analizuar elementet dhe kriteret e veçantë të përbërjes së çmimit që janë normuar në akte nënligjore siç janë: -investimi, kostoja faktike e punës së bërë, ndikimi në mjedis dhe vlera e nënprodukteve të përfituara nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve. Gjithashtu, të pandehurit nuk kanë përfshirë në çmimin e shitjes së municioneve të këtyre kalibrave shpenzimet e transportit, duke përmbushur ofertën/kërkesën e shoqërisë amerikane “SAC inc”, me qëllim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale të shoqërisë “Albdemil” sh.p.k., nëpërmjet kësaj shoqërie të huaj, veprim i kryer në shkelje të udhëzimit të MM nr. 281, datë 17.06.2003 “Për trajtimin e pjesës së armëve, teknikës dhe pajisjeve të FA-së, që hiqen nga armatimi dhe përdorimi”, pika 8, germa “j” dhe pika 1 në urdhrin e MM, nr.5, datë 08. 01.4.2002 “Për funksionimin e ndërmarrjes së Eksport–Importit të ushtrisë “Meico” dhe marrëdhëniet e saj me drejtoritë, komandat e Ministrisë së Mbrojtjes” pika 3/2 e tij, si dhe ligji nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative”, neni 9. Këto veprime dhe mosveprime, të kryera nga të pandehurit në bashkëpunim, me kuadër komandues ushtarak, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, me qëllim përfitimin material të padrejtë nga shoqëria “Albdemil” sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë “SAC inc”, kanë sjellë si pasojë të rëndë dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, pasurisë ushtarake në administrim të FA, në vlerë 411.403.927,8 lekë, e cila përbëhet nga: vlera 359.916 996,8 lekë, që përfaqëson dëmin ekonomik të pasurisë ushtarake, të shkaktuar nga mosllogaritja e çmimit të shitjes së municioneve për çmontimin dhe çmilitarizimin, sipas metodikës të përcaktuar në aktet nënligjore të mësipërme; si dhe nga vlera 51.486.931 lekë që përfaqëson shpenzimet e transportit ushtarak të pallogaritura në çmimin e shitjes së këtyre municioneve. Për faktin e përmendur më sipër, sipas organit qendror të akuzës, të pandehurit Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Armand Tartari, Denis Hajdari, Fatbardh Kuçi, Gëzim Oshafi, me gradën ushtarake major dhe Jorgo Mino, me gradën ushtarake kolonel, në bashkëpunim me kuadrin komandues ushtarak, kanë kryer veprën penale ushtarake “shpërdorim të detyrës”, parashikuar nga nenet 70/2 e 2 të K.P.Ushtarak dhe neni 25 i K. Penal.

Dëmet

411.403.927,8 lekë ishte vlera e pasurisë ushtarake në administrim të Forcave të Armatosura

359.916.996,8 lekë është vlera që përfaqëson dëmin ekonomik të pasurisë ushtarake, të shkaktuar nga mosllogaritja e çmimit të shitjes së municioneve për çmontimin dhe çmilitarizimin, sipas metodikës të përcaktuar në aktet nënligjore

51.486.931 lekë është vlera që përfaqëson shpenzimet e transportit ushtarak të pallogaritura në çmimin e shitjes së këtyre municioneve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›