Maqedoni: Sot java e 23 e kampionatit

ASA (Albania Sport Agency)-Në përballjen e javës së 23-të "kuqezinjtë" nga Shkupi do të jenë kundërshtarë të "kuqezinjve" nga Tetova. Pas barazimit me Rabotnickin, futbollistët e Shkëndijës janë të motivuar para ndeshjes me Vardarin.
Kryetrajneri i Shkëndijës, Edmond Miha u shprehë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij gjatë ndeshjes me Rabotnickin. "Treguam një ndeshje të bukur, ku me shumë motiv u futëm në lojë, për tu përballur me një kundërshtarë të fortë. Pas këtij takimi, tani jemi duke u përgatitur për ndeshjen e radhës me Vardarin", tha
Miha. Ndeshja midis Vardarit dhe Shkëndijës do të zhvillohet në Strumicë, pasi terreni i shkupjanëve është i suspenduar. "Ne do udhëtojmë në Strumicë për tu përballë me Vardarin. Kemi bërë një seancë stërvitore në orën 11-të dhe një ndeshje kontrolluese. Kam punuar në planin psikologjik dhe në atë taktik. Besoj se rezultati pozitiv nuk do të mungojë edhe në këtë takim", vijoi trajneri i Shkëndijës. Ndryshe në radhët e skuadrës tetovare sërish nuk do të gjenden dy mesfushorët Festim Ademi dhe Mumin Sallai, të cilët ende janë të lënduar dhe nuk do të mund të ndihmojnë ekipin e tyre në këtë ndeshje të vështirë.
Burhan Emurllahu- I "detyruar" të luaj kundër Shkëndijës
Burhan Emurllahu do të luaj ndeshjen e parë kundër ish-skuadrës së tij. Futbollistët e Vardarit nga e marta janë në Strumicë, ku po përgatitën kundër Shkëndijës. "Jam i detyruar" të luaj kundër Shkëndijës, sepse mungon braziliani Vandair, i cili ka tre kartonë të verdhë. E kam vështirë të luaj kundër skuadrës që kam derdhur shumë djersë, por unë jam profesionistë dhe duhet të jap maksimumin për të fituar ekipi ku luaj".
Për shkak të suspendimit të stadiumit të Vardarit, këto dy skuadra do të luajnë në Strumicë
Renova - Bregallnica
"Gjipspunuesit" pas pikës së fituar në Shkup në takimin me Vardarin, të mërkurën do të kenë një përballje të lehtë kundër Bregallnicës nga Shtipi, të cilët renditen në pozitën e fundit në tabelën e klasifikimit.
Mesfushori i "bardhekaltërtëve" Minas Osmani për ndeshjen e radhës ka pohuar se dëshirojnë që të shënojnë fitore. "I kemi dy ndeshje në Tetovë. Të parën me Bregallnicën dhe pastaj edhe me Napredokun. Duhet t'i marrim gjashtë pikë. Lojtarët
do të japin angazhimin e tyre në këto ndeshje, si kundër Vardarit, ku në terren të gjithë e dhamë maksimumin", tha Osmani. Renova ka vazhduar me seancat stërvitore, duke u përgatitur për ndeshjen me Bregallnicën. "Kemi vazhduar të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme. Bregallnica është kundërshtar i lehtë, por ne nuk duhet ta nëncmojmë. Nga dy takimet që i kemi në shtëpi, dhe nga udhëtimi në Manastir, shpresojmë të kemi pikë maksimale, dhe pastaj rruga për dalje në Evropë është e hapur", shtoi mesfushori i palodhur i Renovës, duke i falënderuar tifozët e tyre, për mbështetjen që kishin në ndeshjen kundër Vardarit në Shkup.
Bashkimi perballe Makedonija GJP
Në kuadër të xhiros së 23-të, Bashkimi do të jetë mysafir i skuadrës Makedonija GjP. Këto dy ekipe stinorin e kaluar kanë luajtur dy ndeshje me rezultat të barabartë. Edhe përkundër humbjes nga Nepredoku, kumanovarët janë optimist se nga Shkupi do të kthehen me rezultat pozitiv.
"Orari i ndeshjeve për ne është shumë i rëndë. Makedonija është favorit në këtë ndeshje, por ne do të japim maksimumin që nga kjo përballje të kthehemi me pikë", shprehet Erkan Jusufi, ndihmëstrajner i Bashkimit.
Ai më tej thotë se Bashkimi, në Kërcovë tregoi se ka ekip cilësor që di të
luaj edhe jashtë Kumanovës.
"Në Kërcovë gjatë tërë ndeshjes kishim iniciativë, por fati sportiv ishte në anën e kundërshtarit. Një goditje e fortë nga distanca i solli tri pikë skuadrës së Napredokut. Ekipit tonë i mungoi efikasiteti, ne nuk arritëm të realizojmë rastet të cilët i krijuam para portës së kundërshtarit", shpjegon Jusufi.
Ndryshe, në ndeshjen kundër Makedonija GJP në pikëpyetje është aktivizimi i Mensur Limanit, i cili ka tre kartona të verdhë, ndërsa atë mund ta zëvendësojë Kasumi ose Abdullai.