E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nebi Mustafi flet për Albania-Sport

ASA (Albania Sport Agency)-– Mesfushori shqiptar Nebi Mustafi ka filluar të ambientohet në skuadrën e tij të re, Mypa nga Finlanda dhe me padurim është duke e pritur fillimin e sezonit të ri, i cili nis me 21 prill. Ai në një bisedë telefonike për Albania-Sport tha se te Mypa është mirëpritur, ndërsa ambiciet e skuadrës në edicionin e sivjetmë janë kreu i tabelës. Sipas tij Mypa para dy vitesh kishte fituar titullin kampion, kurse në edicionin e ri bashkë me Tamperen dhe Hakën do të jenë kandidatë për
vendin e parë në kampionatin e Finlandës.
"Unë para tri javëve iu kam bashkuar Mypës në përgatitjet e tyre në Spanjë. Drejtuesit e klubit kishin informacione të plota për mua, por ata interesoheshin mos kam ndonjë lëndim. Dhe gjithcka përfundoi mirë. Kam firmosur kontratë 1 vjecare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, kuptohet nëse të dyja palët jemi të kënaqura. Më kanë pritur shumë mirë dhe për këtë u jam mirënjohës. Në klub kushtet janë shumë të mira, mund të ju them edhe më të mira se në Ksamaks të Zvicrës. Mypa është ndër klubet më të organizuara në Finlandë, madje më e organizuar se Haka. Më duhet edhe pak të ambientohem dhe shpresoj se do të arsyetojë vetën në këtë skuadër", është shprehur përmes linjës telefonike Mustafi.
Ai thotë se ka zhvilluar dy ndeshje zyrtare në fanellën e Mypës, edhe atë në ndeshjet e kupës së Finlandës.
"Luajta në dy takime të kupës, ku jemi eliminuar. Klubi nuk ishte i interesuar të luftojë në dy fronte. Jam i kënaqur nga paraqitjet e mia në ekipin e ri. Shpresoj të vazhdojë kështu, vetëm të kem shëndet", vijoi më tutje Mustafi, duke shtuar se në Finlandë kampionati fillon më 21 prill. "Ndeshjen e parë e zhvillojmë si mysafirë me Honkën. Ne jemi skuadër me ambicie të mëdha, prandaj synojmë kreun e tabelës. Deri në përballjen e parë shpresoj të jem i gatshëm për të dhënë më të mirën për klubin tim të ri", u shpreh përmes celularit, Nebi Mustafi.
Ndryshe, për Mustafin, Mypa është skuadra e dytë nga Finlanda, sepse ai më herët ka luajtur edhe për Hakën.

Mypa, qytet i vogël
Mustafi: "Mypa është një qytet i vogël, por i bukur. Sipas asaj që kam arritur të mësoj skuadrën gjatë ndeshjeve kampionale e ndjekin afro 5 mijë shikues në cdo ndeshje, ndërsa në takimet derbi ka edhe më shumë", thotë Mustafi.

Shoqërohet me brazilian
Mustafi: "Në klub shoqërohem me një lojtar nga Brazili. Përvec mua dhe brazilianit në skuadër janë edhe tre lojtarë të huaj, nga Franca, Guineja dhe Paraguaji".

Javën e ardhshme viziton Nuriun
Mustafi: "Në javën tjetër kemi pushim. Do të shfrytëzojë rastin ta vizitojë vëllain tim Nuriun. E kam larg pothuajse 400 km, por me që nuk jemi parë moti dua ta shoh".

Intervistoi: Reshat Ibrahimi, Shkup

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›