E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati konfirmon yjet e Mançinit

Me titullin tashmë në xhep, Interi sheh nga e ardhmja për ta nisur sezonin me programimin e ekipit për sezonin e ardhshëm, atë të dhurimit të tifozëve të tij, Ligën e munguar të Kampioneve. Më në fund skuadra e Masimo Moratit ka gjetur ekuilibrin që i kishte munguar prej kohësh dhe miliarderi zikaltër dëshiron fort ta ruajë këtë grup me yje të mëdhenj. Dhe në planin Morati ekzistojnë Figo dhe Rekoba. Objektivi është hapja e një cikli mbi të cilën është ruajtja e bazës së një grupi solid dhe fitues, një miks lojtarësh me eksperiencë dhe të rinjsh të talentuar. Në të kaluarën revolucionet në skuadër nuk kishin krijuar kurrë atë stabilitet që Interi po e përjeton gjatë këtij sezoni, ku janë gjetur mekanizmat e nevojshme për një Inter shpërthyes, një ndër më të mirët në Europë: një Inter i drejtuar me profesionalizëm nga Roberto Mancini dhe një Adriano që më në fund e ka rigjetur formën e tij, edhe pse ka pasur jo pak indisiplinime që lidhen me karakterin e brazilianit. Por merkato e verës pritet të ketë të papriturat e saj: portugezi Figo kërkohet nga arabët, uruguajani Rekoba është në ikje e sipër, argjentinasi Krespo varet nga Celsi. Tashethemi më i madh është një këmbim Toni-Adriano, por gjithsesi senatorët e skuadrës do të mbeten po ata.

SHKURT BOTA

INTERI
Trajneri i Interit, Roberto Mancini, pohoi se sulmuesi i Fiorentinës, Luka Toni, është sipas tij, një nga sulmuesit më të mirë në botë, por shtoi se ai është pesë vjet më i madh në moshë se Adriano. "Kështu, nuk ka asnjë mundësi këmbimi midis tyre"
JUVENTUSI
Drejtori Sportiv i Juventusit, Alesio Seko, tha se klubi i tij është duke punuar për forcimin e skuadrës për të përballuar me sukses rikthimin në Serinë A: "Ne jemi duke monitoruar disa lojtarë, të cilët në opsionin tonë do të jenë të vlefshëm"
ROMA
Drejtori Teknik i Romës, Baldini, vlerësoi në maksimum cilësitë e lojtarit të Mancester Junatid, Kristiano Ronaldo: "Ne e dimë se ai është lojtari që ne duhet ta ndalojmë në rast se duam të mundim Mancesterin. Është një nga më të mirët në botë".
ROBINJO
Ylli i Realit të Madridit, braziliani Robinjo, pohoi se ndihet i lumtur te skuadra madrilene dhe se dëshiron të rrijë sa më gjatë. "Dëshiroj të luaj nga fillimi i takimit, por gjithsesi unë dua të bëj më të mirën për ekipin për të fituar Ligën spanjole".
DONADONI
President i ri i Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo, pas takimit me trajnerin e Kombëtares, Donadoni, i shprehu këtij të fundit besimin e plotë të tij. Abete e komplimentoi shefin e "Axurrëve" për fitoren 2-0 me Skocinë në kualifikuese e Euro 2008.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›