Tatimorët, rregulla të reja për kontrollin ndaj bizneseve
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës ka hartuar një paketë rregullash që u dorëzohet të gjitha bizneseve për t’u njohur me rregullat dhe objektin e kontrollit që ushtrohet ndaj bizneseve nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave vendore. Kjo drejtori ka hartuar një rregullore të plotë në ushtrimin ligjor të kontrollit që kryhet ndaj subjekteve. Burime nga Bashkia e Tiranës sqarojnë për gazetën “Albania” se paketa e re ligjore për kontroll ndaj bizneseve është hartuar në formën e një njoftimi, ku subjekti njihet me të drejtat dhe detyrimet e tij para se inspektorët e bashkisë të kryejnë kontroll ndaj bizneseve. Në rast se hasen shkelje, atëherë ndaj subjekteve merren masa me gjobë, konfiskim të mallit dhe deri në mbyllje të aktivitetit. Në këtë njoftim, në një paragraf të veçantë, janë përcaktuar të drejtat e taksapaguesve.
Kontrolli i dokumentacionit
Sipas procedurave të reja të vendosura nga Bashkia e Tiranës, inspektorët tatimorë vendorë do të ushtrojnë kontrolle për dokumentacionin që kanë bizneset për ushtrimin e tyre. Njëkohësisht tatimorët do të kryejnë kontroll mbi cilësinë e mallit që mbahet në dyqane, lokale etj. Në këtë mënyrë qytetarët do të kenë mundësi të konsumojnë mallra brenda standardeve. Kontrolli do të ushtrohet në të gjitha bizneset e vogla dhe të mëdha në kryeqytet dhe inspektorët tatimorë, në momentin e kontrollit ndaj një subjekti do të marrin në shqyrtim dokumentet e blerjes, dokumentet e shitjes, librin e blerjeve, librin e shitjeve, librin e inventarit, librin e shpenzimeve dhe të të ardhurave si dhe librin e aktiveve të biznesit. Kjo mënyrë e re do të shmangë abuzimet që bizneset kërkojnë të kryejnë për arsye përfitimi. Bizneset deklarojnë se kontrolle të tilla nga Bashkia janë bërë tepër të shpeshta. Çdo dy ditë në derën e bizneseve paraqiten inspektorët e Bashkisë, që kryejnë kontrolle në të gjitha lagjet e kryeqytetit. Kontrolli mbi gjendjen e mallrave dhe lëvizjen e tyre bëhet në bazë të kryerjes së inventarit fizik të mallrave në momentin e kontrollit, duke përcaktuar gjendjen e tyre me çmime blerjeje dhe shitje. Inspektori i bashkisë, gjatë aktit të inspektimit, kontrollon të gjitha faturat e blerjes, kuponët, dëftesat tatimore, faturat e shitjes, bëhet kontroll i gjendjes së arkës mbi bazën e pagesave mujore, duke u nisur dhe nga niveli mesatar i fitimit, të përcaktohet shuma e të ardhurave, shpenzimet, të bëhet akt matje xhiro ditore (në formën e sondazhit) të krahasuar me atë të deklaruar, nxjerrja e bilancit material të mallrave (gjendje në fillim, blerje, shitje).
Mbi bazën e përllogaritjeve që bëhen nga inspektimet e kryera nga inspektorët e Tatim-Taksave vendore jepen konkluzionet mbi nivelin e qarkullimit vjetor.
Procedurat
Në disa raste bizneset nuk i paguajnë taksat që i detyrohen bashkisë. Kështu, sipas ligjit për procedurat tatimore, janë vendosur disa etapa për njoftimin e të gjithë debitorëve, ku u lihet një afat i shkurtër deri në marrjen e masave. Kështu, etapat janë këto: Njoftimi i detyrimit (30 ditë afat për pagesë): Urdhër bllokimi në bankë për llogaritë bankare që mund të kenë (30 ditë afat): Bllokim me Policinë Bashkiake (30 ditë) dhe veprimi i fundit që mund të ndërmarrë bashkia është sekuestrimi i pasurisë si hap i fundit ose kallëzim penal në prokurori. Shlyerja e detyrimeve për bizneset është parashikuar në disa afate kohore brenda një viti, ku shlyerja mund të bëhet deri në tri data të caktuara në bazë të rregullores.
Taksat
Lidhur me këtë çështje, pak muaj më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar paketën fiskale që kryeqyteti do të përdorë deri në vitin 2010. Sipas paketës fiskale, një pjesë e taksave ekzistuese pëson rritje. Kjo është bërë në bazë të një politike, e cila ka për t’i ardhur në ndihmë disiplinimit të trafikut të makinave, përmirësimit të mjedisit si dhe shërbimeve të tjera që ofron pushteti lokal. Përsa i përket pastrimit të qytetit, taksa e pastrimit do të pësojë një rritje. Kështu, nga 2100 lekë që ishte vitin e kaluar, ajo do të bëhet 3600 lekë këtë vit, 4000 lekë në vitin 2009 dhe 5 000 lekë të rinj në vitin 2010. Taksa e gjelbër ndryshon në mënyrë progresive deri në vitin 2010. Kështu, ajo është 300 lekë gjatë këtij viti, 400 lekë për vitin e ardhshëm dhe 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset, ato janë pak më të larta. Për vitin në të cilin ndodhemi ajo pësoi rritje në masën 3600 lekë në vit, pra 1500 lekë më shumë sesa ishte në vitin 2007. Vitin e ardhshëm kjo tarifë do të shkojë në 4 mijë lekë.
Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, do të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është me e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato duhet të paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Rritje pëson edhe taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi. Kështu, ajo bëhet 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin që të favorizojë bizneset, si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit si shkollat, kopshtet apo çerdhet dhe subjektet qe zhvillojnë aktivitet ne fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.
Kontrolli i dokumentacionit ligjor:
Dokumentet e blerjes
Dokumentet e shitjes
Librin e blerjeve
Librin e shitjeve
Librin e inventarit
Librin e shpenzimeve dhe të të ardhurave
Librin e aktiveve të biznesit
Kontroll mbi gjendjen e mallrave dhe lëvizjen e tyre:
Të bëhet inventari fizik i mallrave në momentin e kontrollit, duke përcaktuar gjendjen e tyre me çmime blerjeje dhe shitje
Kontrollon të gjitha faturat e blerjes, kuponët, dëftesat tatimore, faturat e shitjes
Të bëhet kontroll i gjendjes së arkës
Mbi bazën e pagesave mujore, duke u nisur dhe nga niveli mesatar i fitimit, të përcaktohet shuma e të ardhurave, shpenzimet
Të bëhet akt matje xhiro ditore (në formën e sondazhit) të krahasuar me atë të deklaruar
Nxjerrja e bilancit material të mallrave (gjendje në fillim, blerje, shitje)
Mbi bazën e përllogaritjeve të jepen konkluzione mbi nivelin e qarkullimit vjetor
Bashkia e Tiranës
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave vendore
……….2008 Nr………………Prot.
Subjektit:
Administrator:
Nipt:
Adresa: . . . . .Tiranë
Lënda: Njoftim Kontrolli Tatimor
I nderuar Taksapagues!
Ju njoftojmë se përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore……………., do të ushtrojë kontroll në vend për zbatimin dhe kontrollin e ligjshmërisë së taksave dhe tarifave vendore. Ky kontroll mbështetet në Ligjin Nr. 9920, dt. 16.05.2008, “ Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” Neni 81, Ligjit Nr. 9632, dt 30.10.2006. “ Për Sistemin e Taksave Vendore” me ndryshimet përkatëse, Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 3, datë 05.02.2007. “ Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, Udhëzimit Nr. 655, datë 06.02.2007 të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme dhe Udhëzimit Nr. 1 datë 11.01.2008 “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Kontrolli do të ushtrohet për Taksat dhe Tarifat Vendore, në vendndodhjen e veprimtarisë së taksapaguesit. Kontrolli do të ushtrohet në datë … … … duke përfshirë periudhën. Viti Tatimor 2008, nga data 01.01.2008 deri në momentin e kontrollit. Taksapaguesi duhet të vendosë në dispozicion të Administratës Tatimore të gjithë informacionin dhe ose dokumentacionin për Kontrollin Tatimor.
Të drejtat e taksapaguesit
Brenda 7 ditëve nga ushtrimi i kontrollit përgatitet raporti i kontrolli (jo përfundimtar). Një kopje e raport- kontrollit i jepet taksapaguesit. Taksapaguesi ka të drejtë të kundërshtojë rezultatet e kontrollit Brenda 5 ditëve. Kundërshtimi paraqitet me shkrim dhe jep arsyet e kundërshtimit. Kundërshtimi shqyrtohet Brenda 5 ditëve pune nga data e marrjes së tij. Arsyet e kundërshtimit përfshihen në raportin e kontrollit (përfundimtar). Vlerësimi i kryer në Kontrollin Tatimor mund të ankimohet. Ankimi bëhet me shkrim dhe mund të dorëzohet brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur akti i administratës është marrë ose vlerësohet i marrë nga taksapaguesi. Ankimi merret në shqyrtim vetëm nëse taksapaguesi ka paguar detyrimin tatimor subjekt I ankimit pa përfshirë gjobat. Barra e provës për të vërtetuar se një akt administrative është i pasaktë bie mbi taksapaguesin. Vendimi i organit apelues mund të kundërshtohet në gjykatë Brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja në dijeni për këtë. Nëse organi i apelimit nuk shprehet Brenda 3 muajve nga marrja e ankimit taksapaguesi mund të ankohet drejtpërsëdrejti në gjykatë. Taksapaguesi ka të drejtë të paraqesë personalisht çështjen ose të caktojë një person për ta përfaqësuar.
9 Shtator 2008