E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Topi: Të zbatohet marrëveshja e Ohrit

Gjate pritjes se Topit ne Tetove

Kreu i Shtetit Bamir Topi në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Maqedoni është takuar atje me faktorin shqiptarë, ndërsa i është rezervuar një pritje madhështore në qytetin e Tetovës. Portali informativ Shqipmedia i ka marrë një intervistë Presidentit Topit, ku ndër të tjera ai nuk përjashton si arsye të vizitës së tij në këtë kohë incidentet e njëpasnjëshme ndëretnike që kanë ndodhur ditët e fundit në shtetin fqinj.

Topi ka vlerësuar marrëdhëniet me dy vendeve, ndërsa ka bërë thirrje që marrëveshja e Ohrit të zbatohet në mënyrë shumë korrekte.

Do dëshiroja që ajo marrëveshje vërtetë ka nevojë që të zbatohet në mënyrë shumë korrekte sepse do të garantonte të gjithë ecurinë normale pozitive sepse është një marrëveshje që konsiderohet historike pasi që është bërë dhe me bekimin e shteteve ndërkombëtare. Por jam i asaj që gjithmonë ka vend për të përmirësuar realizimin e një marrëveshje të atillë.- shprehet Topi.

Më poshtë intervista e plotë e Topit për portalin Shqipmedia.

z.President si e vlerësoni situatën aktuale në Maqedoni? Erdhët për vizitë në Maqedoni për shkak     të situatës të tensionuar në vend?

Unë kam ardhur për një vizitë zyrtare në Maqedoni me ftesën e homologut tim presidentit Gjorgji Ivanov. Në vijim të kontakteve që autoritetet e shtetit shqiptar dhe ata maqedonas kanë në mënyrë reciproke dhe relativisht frekuente, kështu që nga ky vështrim, marrëdhëniet mes dy vendeve tona për sa I përket dialogut politik janë mjaft të mira. Arsyeja është natyrisht si fillim nga që jemi dy vende fqinj, por ka dhe një arsye tjetër dhe është ajo që në Maqedoni jetojnë shumë shqiptarë. Kështu që nga ky këndvështrim mund të themi që marrëdhëniet institucionale, zyrtare dhe marrëdhëniet e komunikimit apo biznesit zhvillohen në mënyrë normale dhe në bisedat që kemi realizuar sot më të gjithë aktorët, qoftë ato me presidentin apo me kryetarin e parlamentit apo kryeministrin është vënë theksi që duhet të intensifikohen marrëdhëniet mes shteteve tona, tek zgjerimi i këtyre marrëdhënieve në gjitha aspektet qoftë politike, ekonomike, institucionale, në nevojën e zhvillimit të infrastrukturës për ta vënë këtë në zhvillim të lëvizjes së njerëzve, në bashkëpunim kundër krimit të organizuar, në bashkëpunim e shërbimit inteligjent dhe forcës së policisë. Me pak fjalë unë do ta konsideroja si marrëdhënie shumë të mirë mes dy vendeve. Pa dyshim ka qenë një ndjeshmëri e madhe ditëve të fundit për shkak të vrasjes makabër të 5 të rinjve. Unë do duke ju dhënë ngushëllimet e mija më të sinqerta autoriteteve dhe familjeve të viktimave, kam dënuar këtë akt kriminal dhe sigurisht kam marrë informacion më të larta nga Maqedonia që institucionet po punojnë në mënyrë profesionale dhe objektive për të nxjerrë para drejtësisë autorin e kësaj masakre të rëndë. Kemi dënuar së bashku të gjithë ata që kërkojnë të devijojnë këtë ngjarje nga ajo që në të vërtetë ka ndodhur dhe mbi të gjitha janë munduar ti japin karakter etnik. Jam I bindur që puna duhet të vazhdohet të punohet në mënyrë korrekte nga standartet e shtetit ligjor, institucionet e zbatimit të ligjit do të bëjnë punën e tyre dhe uroj që cili do që të jetë ai që e ka realizuar këtë masakër të vendoset para bankës së drejtësisë?

Si do ta kishit përshkruar rolin  e qeverive shqiptare në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve ?

Unë mendoj që shqiptarët në Maqedoni përfaqësohen nga partitë politike të cilat janë aktive dhe sot sikurse edhe vite më parë ata janë protagonist të jetës sociale në Maqedoni. por nga ana tjetër, Shqipëria dhe gjitha autoritetet janë shumë të ndjeshme qoftë për shkak të marrëdhënieve të mirë mes fqinjëve të dy shteteve , por po ashtu jemi të ndjeshëm për sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 që duhet të garantoj të gjitha standartet për shqiptarët të cilat duhet ti gëzojnë në mënyrë ekuivalente  të barabartë si çdo qytetar tjetër në Maqedoni. padyshim, duke I zhvilluar këto marrëdhënie duke i zhvilluar ato në të gjitha fusha të mundshme si psh; duke ju dhënë mundësi qytetarëve në levizjen e tyre të lirë tani së fundmi të lëvizin lirshëm dhe me karta identiteti patjetër që rritet mundësia të çlirohet nga ai lloj ngërçi . Mendoj që është ndjeshmëria e duhur nga autoritet shqiptare për të ndjekur marrëdhëniet nga autoritetet institucionale dhe partitë politike shqiptare në Maqedoni.

Kur jemi te Marrëveshja e Ohrit, mendoni që ajo është realizuar e plotë?

Unë do të dëshiroja që këtë çështje ta leja në diskutimin e partive dhe faktorit politik në Maqedoni të cilët sikurse thash janë pjesë e institucioneve të Maqedonisë. Natyrisht ka këndvështrime të ndryshme të cilët janë  relative, dikush mund të thotë që Marrëveshja po zbatohet plotësisht, dikush mund të thotë të kundërtën por unë do të dëshiroja që pa u futur në terma konkrete, do dëshiroja që ajo marrëveshje vërtetë ka nevojë që të zbatohet në mënyrë shumë korrekte sepse do të garantonte të gjithë ecurinë normale pozitive sepse është një marrëveshje që konsiderohet historike pasi që është bërë dhe me bekimin e shteteve ndërkombëtare. Por jam i asaj që gjithmonë ka vend për të përmirësuar realizimin e një marrëveshje të atillë.

100 vjetori i pavarësisë shkaktoi përçarje në spektrin politik në Maqedoni, sepse opozita akuzon pozitën për shfrytëzim të marketingut politik të kësaj ngjarje?

100 vjetori I Pavarësisë së Shqipërisë është një ngjarje historike i cili kurrsesi nuk mund të devijojë për qëllime politike të askujt. Është një ngjarje që duhet ti angazhoj të gjithë faktorët politik mbarë shqiptarë kudo që janë në Shqipëri, në Maqedoni, Kosovë, në gjitha trojet me shqiptarët. Duhet të jemi të gjithë së bashku për ta festuar këtë ngjarje në mënyrë më solemne ashtu siç e meritojmë në fakt. Duhet të vlersojmw etërit të cilët bënë të mundur pavarësinë e kombit shqiptarë dhe që e futën atë në rrjedha të modernizimit të shtetit.

Për në fund, do donim ta dinim, si është ndjenja e të qenurit President I të gjithë shqiptarëve?

Pa dyshim që është një ndjenjë shumë e bukur. Unë ndjehem mirë sikur ndjehet mirë siç do autoritet i Shqipërisë në gjithë hapësirën ku ka shqiptarë sepse ndjehemi të respektuar në mënyra të veçantë dhe vërtetë është një ndjenjë është pak e vështirë të përshkruhet si duhet.

Mesazhi juaj për lexuesit e Shqipmedia?

Ju falenderoj juve që zhvilluam këtë bashkëbisedim ndërsa lexuesve do ti kisha përshëndetur përzemërsisht dhe do ti kisha bërë thirrje ta ruajnë qetësinë në nivelin e duhur. Ju faleminderit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›