Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe BDI fituan zgjedhjet

VMRO-DPMNE dhe BDI fituan në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare. Sipas të dhënave paraprake të KSHZ-së, VMRO-DPMNE ka fituar 426 mijë vota, koalicioni opozitar LSDM 358 mijë vota, ndërsa nga partitë shqiptare BDI 108 mijë vota, PDSH 59 mijë vota si dhe partia e sapoformuar RDK 29 mijë vota.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizata "Most" nga votat e numëruara përfundimtare në bazë të numrit të fituar të deputetëve, VMRO-DPMNE ka fituar 53 deputetë, LSDM 43 deputetë, BDI 14, PDSH 8 dhe RDK 2 deputetë. Shumë parti të vogla politike nuk do të përfaqësohen në Parlament, pasi që nuk arritën fitoren e asnjë mandati.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pjesëmarrja e votuesve ka qenë mbi 63 për qind, ndërsa zgjedhjet u vlerësuan si të rregullta dhe demokratike, me përjashtim të parregullësive shumë të vogla.
Kryeministri i deritanishëm dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski deklaroi se fitorja e këtyre zgjedhjeve ka një peshë të veçantë, për shkak se ajo u fitua në kushte të krizës ekonomike botërore, por sipas tij, kjo fitore jep edhe përgjegjësi më të madhe nga zgjedhjet e deritanishme. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjithashtu ka uruar elektoratin shqiptar për fitoren në këto zgjedhje, duke theksuar se partinë e tij e presin përgjegjësi të mëdha.
Lidhur me formimin e koalicioneve me partitë maqedonase, Ahmeti theksoi se respekton atë parti që ka fituar verdiktin e elektoratit të tij, duke aluduar në VMRO-DPMNE.