E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia e Re me asnjë deputet

Partia Demokracia e Re në Maqedoni ka përfunduar garën zgjedhore duke mos fituar asnjë deputet në zgjedhjet parlamentare.

Përfaqësuesit e kësaj partie mbrëmë nuk kanë dhënë hollësi lidhur me fitoren ose jo të ndonjë kandidati të tyre për deputet, edhe pse të dhënat paraprake nga KSHZ dhe nga organizata e cila vëzhgoi zgjedhjet "Most" nuk nxorri asnjë deputet të kësaj partie.

"Demokracia e Re" ishte partia që u formua pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2008, kur katër deputetë dhe ish-funksionarë të lartë braktisën menjëherë pas zgjedhjeve PDSH-në e kryesuar nga Menduh Thaçi, për shkak të pakënaqësive lidhur me drejtimin e subjektit politik.

Kjo parti në zgjedhjet lokale të vitit 2009 arriti të fitojë vetëm në komunën e Haraçinës, ndërsa lideri i saj Imer Selmani ishte një nga kandidatët për president të vendit në zgjedhjet e fundit, ku fitoi mbi 150 mijë vota.

Mosfitorja e asnjë deputeti rrezikon fatin e këtij subjekti politik shqiptar në skenën politike në Maqedoni. Jozyrtarisht akoma nuk konfirmohet se janë të mundshme gjasat që megjithatë kjo parti të fitojë një deputet në zonën 2 zgjedhore, por kjo nuk është konfirmuar nga KSHZ.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›