E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Zaev: “Gjyqi ndaj meje me interesa politike”



Nënkryetari i partisë opozitare LSDM në Maqedoni, Zoran Zaev, i cili u hetua për korrupsion, është shprehur se procesi i ngritur ndaj tij dëshmonte se gjykatat në Maqedoni nuk ishin të pavarura.
Gjatë një interviste ai akuzon autoritetet qeveritare se kanë ndikuar në sistemin gjyqësor. “Presioni i qeverisë ndaj gjyqësorit vazhdon. Kjo dëshmon se bëhet fjalë për një proces të montuar politik nga i cili pushteti nuk do të tërhiqet. Për herë të parë ndodh që Ministria e Brendshme me paratë e popullit bën reklama komerciale në media ku publikon padinë ndaj meje. E gjitha është një proçes i montuar politik që është larg drejtësisë”,- tha Zaev. Gjatë kohës që qëndroi në paraburgim, nënkryetari i LSDM-së, tha se kishte marrë kërcënime për jetën.
“Kërcënime kishte edhe gjatë kohës kur isha në burgun hetues, ku më kujtonin rastin e gazetarit Tanevski, i cili u gjet i mbytur në një qeli të burgut”,- tha Zaev. Por akuzat e tij hidhen poshtë nga autoritetet maqedonase. Ministria e punëve të Brendshme thotë se me anulimin e hetimit nga ana e Presidentit, është penguar zbradhja e rastit. Ndërkohë, ka reaguar edhe VMRO DPMNE-ja. Sipas saj, LSDM-ja po bashkëpunon me Presidentin Cërvenkovski për të destabilizuar vendin. “Në opinionin publik dhe në qarqet politike flitet me intensitet për prapavijën e marrëveshjes për anulimin e hetimeve të zotit Zaev. Por ne nuk e dimë se kush do të ketë përfitimet politike dhe ekonomike nga lirimi i tij. Qytetarët ende presin përgjigje. A kishte marrëveshje, prapa të cilës qëndron Branko Cërvnkovski, qëllimi i tij është që të varrosë vlerat e sistemit ligjor në Maqedoni”,- pyet zëdhësnësi i VMRO- DPMNE Aleksadër Biçikiliski. Zoran Zaev, u arrestua para disa javësh, në fillim gjykata e la të mbrohet në liri. Akuzat e ngritura ndaj tij kanë të bëjnë me ndërtimin e një qendre tregtare në qytetin e Strumicës, ku është kryetar bashkie. Presidenti Branko Cërvenkovski anuloi hetimin ndaj tij.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›