Maqedoni: Zgjedhjet e parakohshme më 5 qershor
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 5 qershor dhe se kjo pritet të jetë data përfundimtare e mbajtjes së tyre.
Caktimin e kësaj date e deklaroi sot kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, vetëm pak orë pasi lideri i partisë më të madhe opozitare LSDM, Branko Cërvenkovski deklaroi se partia e tij është e gatshme të shkojë në zgjedhje pa asnjë kusht.
“Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, por edhe dinamikës së paraparë, VMRO-DPMNE do ti propozojë Parlamentit që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 5 qershor”, deklaroi Gruevski.
Ai ka bërë të ditur se me ndryshimet e reja të Kodit zgjedhor dhe pastrimin e listave zgjedhore do të sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike.
Kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski deklaroi sot se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme pa asnjë kusht.
“Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, edhe pse Nikolla Gruvski nuk dëshiron që ato të jenë te lira dhe demokratike dhe i detyroi opozita të shkojë në bojkot. Ne shkojmë në zgjedhje dhe prej sot nuk kemi asnjë kërkesë. Në Parlament nuk kthehemi dhe nuk do të bëjmë asnjë negociatë me VMRO-DPMNE dhe pushtetin”, deklaroi Cërvenkovski.