E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, fati i qeverisë mësohet të premten

SHKUP- Të premten në mesnatë do të mesohet qarte fati i koalicionit aktual qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe BDI.

Deputetët e partisë opozitare maqedonase LSDM dorëzuan propozimin për votëbesimin e Qeverisë. Mesohet se ka pasur një takim midis liderëve të dy partive të koalicionit Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti për të diskutuar mbi propozimin e interpelancës të propozuar nga opozita maqedonase.

Por, nga ky takim nuk jepen detaje se cili do të jetë epilogu i këtij koalicioni që u përfshi në tensione të brendshme dhe mosmarrëveshje pas një ceremonie të homazheve që ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi i shoqëruar nga oficerë të Armatës kreu në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.

Në taborin e opozitës maqedonase theksojnë se të premten në mesnatë do të dihet fati i kësaj qeverisje, ndërsa ata kanë theksuar se në seancën e së premtes do të shpalosin të gjitha dëmet dhe paaftësitë e këtij koalicioni që po drejton vendin.

Interpelanca është përkrahur edhe nga dy partitë parlamentare shqiptare PDSH dhe RDK. Mbijetesa e koalicionit qeveritar do të varet nga votat e BDI-së, e cila jozyrtarisht siç mësohet se nuk dëshiron tani për tani shpërbërjen e Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme që mund të jenë në dhjetor, në rast se ndodh votëbesimi i koalicionit.

Opozita maqedonase numëron 42 deputetë, pa 8 deputetët e PDSH-së dhe 2 deputetët e RDK-së, që gjithsejtë bëjnë 52 deputetë dhe nuk janë të siguruara votat e mjaftueshme për të rrëzuar Qeverinë e Gruevskit. Në anën tjetër, koalicioni qeveritar ka 62 deputetë, të cilët pritet të mos i japin dritë jeshile propozimit të LSDM-së, me arsyetimet tashmë jozyrtare se nuk do të lejojnë rrëzimin e koalicionit të tyre nga një propozim i bërë nga opozita maqedonase.

(INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›