E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi-Halimi: Standartet e qendrave të paraburgimit duhet të jenë prioritet

Elbasan- Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i shoqëruar nga Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, ishin sot të pranishëm në ambjentet e paraburgimit ndërtuar në qëndrën e Ish-Kombinatit Metalurgjik, nga ku ka theksuar se standartet e qëndrave të paraburgimit janë një nga pikat kyce të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë.

Duke u ndalur tek ndërtimi i qendrës së paraburgimit, Ambasadori tha se BE ka akorduar një fond prej 5 milion eurosh nga taksapaguesit europian.

Sipas tij, një komb nuk duhet gjykuar nga mënyra se si trajton qytetarët e tij më të njohur, por ata që janë më pak të njohur.

“Kjo është arsyeja pse BE po investon kaq shumë në këtë sektor. Fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë prioritete kyçe për BE-në dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, -theksoi Sequi.

Mbështetja financiare e qendrave të paraburgimit është pjesë e mbështetjes që u jep BE, të gjitha përpjekjeve të Shqipërisë për të reformuar sistemin e drejtësisë.

Kjo qendër, vijoi Sequi, është me të vërtetë moderne. Përveç standardeve të larta të BE-së, e veçanta e saj është se janë ndjekur disa teknika të veçanta siç është teknika e energjisë elektrike.

“Këto sisteme të reja përsa i përket efikasitetit të energjisë elektrike do të aplikohen edhe në projekte të tjera të financuara nga BE në zonat e Beratit, Fierit dhe Shkodrës, që në total arrijnë një vlerë prej 33 milion euro”, shtoi Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi.

Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të bëjë të mundur që këto investime të jenë të qëndrueshme duke vënë në dispozicion fondet e duhura për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e këtyre qendrave, këto standarde duhet të vazhdojnë të jenë të njëjta edhe pas 4 apo 5 vjetësh.

“Me anë të këtyre kontributeve BE e mbështet Shqipërinë, që të përmbush standardet e BE-së për demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut”, u shpreh Sequi.

Ndërkaq nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi deklaroi se për herë të parë në Shqipëri, por edhe në rajon ndërtohet një institucion paraburgimi me dy sisteme njëkohësisht ngrohje dhe ftohje.

Por, risia për këtë projekt është zbatimi për herë të parë në objekte të këtij lloji në Shqipëri i sistemeve alternative të furnizimit me energji të pastër, që është sistemi i paneleve diellorë së bashku me pompat e nxehtësisë të cilat mundësojnë uljen e kostos për ngrohje”.

Sipas Halimit, ky institucion paraburgimi sjell jo vetëm standarde të larta përsa i përket kushteve, por sjell edhe një tjetër standard atë të kursimit të energjisë elektrike.

Duke u ndalur tek trajtimi që i bëhet të burgosurve në vend, Halimi shtoi se “mënyra e trajtimit të të burgosurve të një shteti, tregon edhe fytyrën e vërtetë të një shteti. Ky institucion që ne përurojmë tregon qartë përpjekjet e përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe BE-së për të garantuar sigurinë publike edhe në sektorin penal në vend”.

Ndër të tjera Halimi shtoi se, “aktualisht ne jemi në proces realizimi për ndërtimin e paraburgimit të ri në Berat, në Fier dhe së shpejti edhe në Shkodër, me një fond prej 40 milion euro”.

Ndërsa përsa i përket reformave në drejtësi, Halimi shtoi se “rruga e reformave nuk është e lehtë, por është po aq e bukur kur bëhet me miq të mirë të Shqipërisë, siç janë partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Ndërtimi i institucionit të paraburgimit është realizuar në kuadër të programit IPA 2007 me bashkëfinancim të delegacionit të BE-së dhe qeverisë shqiptare. Kapaciteti i këtij paraburgimi është për 120 të paraburgosur.

/IDEA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›