Mblidhet asambleja e PS Sarande

Anëtarë të asamblesë PS së qytetit Sarandë kanë firmosur një peticion drejtuar Kryesisë së Partisë Socialiste në Tiranë. Burime zyrtare nga PS Sarandë bëjnë të ditur se përmes peticionit, socialistët e Sarandës kanë kërkuar mosnjohje të procesit të manipuluar për zgjedhjen e kryesisë së organizatës së gruas, të zhvilluar të dielën e kaluar, mocion mosbesimi ndaj kryetarit të PS së Rrethit Sarandë Gjergji Mërkuri, si dhe sqarim zyrtar për ndërhyrjen e deputetes, Luiza Xhuvani përmes një urdhri jozyrtar në emër të selisë qendrore të PS. Mbledhja e asamblesë së PS së qytetit Sarandë u zhvillua në prani të 41 anëtarëve nga 52 gjithsej. Mes socialistëve, anëtarë të asamblesë pati replika dhe konflikte deri në fyerje. Si shkak i shpërthimit të konflikteve në selinë rozë të Sarandës shërbeu procesi i përshpejtuar në kohë dhe mbi lista të manipuluara për zgjedhjen e kryesisë së organizatës së gruas, që krijoi reagime në ekstrem të anëtarëve dhe mbështetësve të PS në Sarandë. Procesi u drejtua nga koordinatorja, ish kryetare e PS së qytetit Rajmonda Gjoni dhe deputetja Luiza Xhuvani, duke përjashtuar si kryetarin aktual të PS së qytetit, Feruz Shabani dhe kryetaren e organizatës së gruas, Vojsava Vasili. Sipas tyre procesi u manipulua duke synuar trazim të situatës mes socialistëve për të ruajtur raportet personale për listën e kandidatëve për deputete në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.