Maqedoni, heshtje zgjedhore, nesër raundi i dytë i zgjedhjeve
Votojnë të burgosurit, personat e shpërngulur dhe të pafuqishëm
Maqedonia të dielën voton në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore. Votimet për zgjedhjen e kryetarëve të komunave do të zhvillohen në 29 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Të drejtë vote kanë 1 milion e 103 mijë qytetarë, të cilët të drejtën e tyre do të mund ta realizojnë në 1.614 vendvotime. Qytetarët do të votojnë në komunat me shumicë shqiptare: Haraçinë, Bërvenicë, Gostivar, Strugë, Studeniçan, Tearcë, Tetovë, Vrapçisht dhe Çair si dhe në komunat me shumicë maqedonase: Berovë, Manastir, Bogdanc, Butel, Veles, Debarcë, Dellçevë, Gjorçe Petrov, Jegunoc, Kavadar, Karbinci, Karposh, Koçan, Kumanovë, Lozovë, Mogillë, Resnjë, Staro Nagoriçane, Qendër, Çeshinovë-Obleshevë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja forcat do ti matin edhe në Qytetin e Shkupit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhje demokratike dhe korrekte. “Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, të cilët do të votojnë në komunat në rrethin e dytë zgjedhor, masivisht dhe në mënyrë të lirë të dalin dhe të votojnë, sipas vullnetit të tyre, sipas bindjeve të tyre. Përkujtojmë se votimi është i fshehtë, ndërsa fshehtësia e votës dhe fletëvotimit është e garantuar me ligj”.
Gjatë ditës votuan 988 të burgosurit dhe 73 personat e zhvendosur brenda vendit. Votimi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale përfundoi në gjithsej 49 komuna. Betejë më interesante pritet të zhvillohet në komunën e Strugës, në të cilën garojnë kandidati shqiptar Ziadin Sela, i cili ka mbështetjen e BDI-së dhe PDSH dhe kandidati maqedonas Vllado Kocovski, i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe LSDM. Beteja në raundin e dytë në këtë qytet nuk është vetëm politike, por mbi të gjitha ka motive etnike. Kjo betejë bëhet edhe më e ashpër pas fitores së kandidatit shqiptar në Kërçovë, Fatmir Dehari që ndodhi pas 70 viteve. Në komunën e Tetovës garojnë kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi dhe kandidati i PDSH-së, Sadi Bexheti, kryetar aktual i Tetovës, ndërsa në raundin e parë epërsi prej mbi 3 mijë votave kishte kandidatja Arifi. Betejë e ashpër politike në kampin shqiptar do të ketë edhe në Gostivar, në të cilin qytet garojnë kandidati i BDI-së, Nevzat Bejta dhe kandidati i RDK-së, Rufi Osmani, i cili kishte epërsi ndaj kandidatit të partisë në pushtet. Sa i përket komunave me shumicë maqedonase beteja midis pushtetit dhe opozitës maqedonase do të zhvillohet në komunat Veles, Kumanovë dhe Gjorce Petrov si dhe në komunën Qendër, në të cilën garojnë kandidati i opozitës, Andrej Zhernovski dhe ai i pushtetit Vlladimir Todoroviq. Kjo betejë është e rëndësishme për shkak se në këtë komunë realizohet projekti kontravers etnik ‘Shkupi 2014’, rreth të cilit nëse fiton kandidati opozitar ka paralajmëruar rishikimin dhe ndërprerjen e realizimit të tij. Zgjedhjet e sivjeme vendore janë të pestat me radhë në Maqedoni, ndërsa deri më tani zgjedhje vendore janë organizuar në vitet 1996, 2000, 2005 dhe 2009.