Maqedoni, mbyllen kutitë e votimit

Në Maqedoni në ora 19.00 është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga KSHZ-ja, pjesëmarrja e votuesve deri në ora 17.00 ka qenë rreth 54 për qind.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko deklaroi se nuk ka pasur probleme dhe parregullësi serioze gjatë procesit të votimit. Sipas tij, procesi në përgjithësi u zhvillua në mënyrë të qetë, korrekte dhe qytetarët kanë shprehur lirshëm të drejtën e votimit.
Kutitë e votimit u hapën sot në orën 07.00, pa vonesa në 2.976 vendvotime në mbarë vendin, ku nga 1,8 milion qytetarë me të drejtë vote, mbi 54 për qind prej tyre shprehën të drejtën e tyre të votimit.
Partitë politike pas një ore pritet të kenë rezultatet e para nga qendrat e votimit, për të publikuar më pas edhe shifra paraprake për votat dhe mundësinë e mandateve të fituara të deputetëve në gjashtë njësitë zgjedhore.
KSHZ deri në mesnatë pritet të jap rezultate paraprake për disa zona votimi dhe rezultatet e partive politike për fitoren e mandateve të deputetëve.