Dëmtimi, Vila alarmon Kuzhenë
Nuk duket një dëmtim serioz por gjithsesi aq sa ka shqetësuar trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe. Emiliano Vila ka pësuar një kontraktim dje në ndeshjen e Shpresave pikërisht në sekondat e fundit të lojës, çka ka bërë që mjeku i Kombëtares, Akim Bulinger dhe trajneri Kuzhe të zbrisnin nga tribuna e stadiumit “Niko Dovana” për të biseduar direkt me futbollistin në dhomat e zhveshjes së ekipit të Shpresave. Sipas të dhënave të para, Vila ka pasur një lodhje muskulore, e cila mund të ndikojë që lojtari të mos jetë pjesë e skuadrës kuqezi për ndeshjen e së mërkurës ndaj Danimarkës. Vila u dha në formë huazimi tek skuadra e Artan Bushatit vetëm për takimin e ditës së djeshme ndaj Azerbajxhanit, e vlefshme për kualifikimet e evropianit 2011.