Bogdani dhe Salihi: Danimarka tregon forcën tonë reale
Leonard Karaj
Danimarka shihet si basti i Kombëtares së Kuzhesë. Nëse skuadra arrin të marrë një rezultat pozitiv, atëherë do të thotë se ndryshimi mes ekipit të Ari Han dhe Josip Kuzhesë është mëse evident. Në këtë linjë qëndron edhe dyshja titullare e sulmit kuqezi, Erjon Bogdani dhe Hamdi Salihi. Sipas tyre lojërat e mira që ka zhvilluar skuadra gjatë ndeshjeve të fundit duhen me patjetër që të konkludohen me një rezultat pozitiv ndaj kryesueses së grupit, Danimarkës. Bogdani dhe Salihi pohojnë se do të bëjnë të pamundurën për të “shpuar” rrjetën daneze për t’u hakmarrë kështu në një farë mënyre edhe për humbjen më të thellë të Shqipërisë në këto kualifikime (3-0).
Bogdani
“E rëndësishme është që të luajmë si ekip mirë dhe shpresoj që edhe në qoftë se e bën ndonjë tjetër golin dhe fitojmë, kjo gjë më gëzon mua dhe të gjithë shqiptarët. Është një ndeshje e vështirë për arsye se Danimarka është një ekip shumë i fortë, i cili jo rastësisht kryeson grupin. Megjithatë para publikut tonë ne kemi bërë gjithnjë lojëra të mira ndaj do të tentojmë që edhe në këtë takim të mos zhgënjejmë”, ka thënë dje në konferencën për shtyp Erjon Bogdani. Ndërsa Salihi sheh më larg duke e cilësuar këtë takim si pikënisje e mbarë për kualifikimet e evropianit të 2012-ës.
Salihi
“Po përgatitemi realisht për të bërë një lojë sulmuese dhe nuk ka rëndësi se cila nga ne do të luajë, për vetë faktin se të gjithë sulmuesit janë në formë të mirë dhe ndaj një skuadre si Danimarka motivimi vjen natyrshëm. Normalisht vlera dhe vështirësia e takimit dihet, pasi luajmë me kryesuesen e grupit, por për ne është e rëndësishme të vazhdojmë në seriën e ndeshjeve të mira dhe pse jo të marrim edhe rezultatet e dëshiruara”, ka thënë sulmuesi shkodran i kuqezinjve. Dy sulmuesit kanë bërë të ditur gjithashtu se sfida kundër Danimarkës është e rëndësishme, pasi skuadra duhet të ruaj ecurinë pozitive në mënyrë që të kërkojë të hedhë një hap përpara në eliminatoret e ardhshme. Trajneri Josip Kuzhe pritet të zbresë në fushë me dy sulmues dhe nëse kjo ndodh atëherë Bogdani dhe Salihi janë në krye të listës përkundrejt dyshes tjetër Kapllani-Berisha.