E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, monitoruesit: Dhunë e armatosur në mitingje

SHKUP- Organizata joqeveritare “Civil” apelon që partitë politike në maqedoni të kenë kujdes në lidhje me dhunën e armatosur, e cila është vërejtur në fushatën parazgjedhore gjatë këtyre ditëve në vend.

Mediat vendase bëjnë me dije se organizata joqeveritare “Civil” në kuadër të projektit “Zgjedhje pa dhunë 2011”, me vëzhguesit e vet po monitorojnë 23 komuna në gjithë vendin, duke e përfshirë edhe Shkupin, nga ku çdo ditë merr raporte për gjendjet parazgjedhore.

“Deri më tani nuk kemi regjistruar incidente të veçanta të cilat përfshijnë dhunë me armë edhe pse mund të konstatojmë se ka raste të gjuajtjeve me armë nëpër mitingje, por edhe nga autobusët që janë në lëvizje. Vëzhguesit tanë kanë vërejtur gjuajtje në afërsi të sallës sportive ‘Boris Trajkovski’ në ditën kur BDI-ja kishte konventë në Shkup, ndërsa janë vërejtur edhe raste tjera të tilla të cilat i konsiderojmë si dhunë me armë”,- tha në një konferencë për mediat kryetari i organizatës ‘Civil’, Xhabir Deralla.

Ndërkohë që organizata ‘Civil’ e cila po monitoron situatën parazgjedhore në Maqedoni i ka bërë apel partive politike të ndalojnë çfarëdo lloj presioni, kërcënimi ose kontakti fizik me aktivistët e partive tjera. “Partitë politike pothuajse për çdo ditë lajmërojnë dhe paraqesin incidente të vogla, si thyerje të shtabeve zgjedhore ose shkatërrimin e materialit të tyre propagandues dhe kërcënime verbale. Dëshirojmë të apelojmë që menjëherë të ndalojnë një praktikë të tillë. Në lagjen e Shuto Orizarit kemi regjistruar gjendje të tensionuara dhe lëndime fizike në mes aktivistëve të dy partive rivale në atë teren”,-u shpreh Deralla.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›