E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, ndërkombëtarët vërejtje për politizimin e regjistrimit

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësime për rritjen e tendencave për politizimin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni.

Një diplomat i akredituar në Maqedoni ka deklaruar për agjensinë e lajmeve INA se duhet unitet dhe sa më shpejt të arrihet një qëndrim i përbashkët për të mos komplikuar procesin e regjistrimit.

“Apelojmë që të ketë një transparencë në këtë proces dhe vetë Komisioni Shtetëror i Regjistrimit të bëj punën e tij, pa patur ndërhyrje politike. Gjithçka të jetë e bazuar në Ligjin e miratuar dhe në rekomandimet e EUROSTAT”, theksoi diplomati.

Jozyrtarisht mësohet se përfaqësuesit ndërkombëtar kërkojnë që qeveria e koalicionit të dalë me një deklaratë të përbashkët që lidhet me qëndrimet e dy partive VMRO-DPMNE dhe BDI për të dhënë vlerësim të njëjtë mbi procesin e regjistrimit dhe ku do të evitoheshin të gjitha paqartësitë, me qëllim të funksionimit dhe mbarëvajtjes së operacionit të numërimit në terren.

Një deklaratë e tillë nuk përjashtohet ti ofrohet edhe partive tjera politike, mirëpo gjasat janë të pakta që ky propozim të ketë sukses.

Regjistrimi i popullsisë ka hyrë në ditën e 5, ndërsa sipas afateve ligjore kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundimin e procesit. Sipas të dhënave nga KSHR në Maqedoni deri tani numërimi ka ecur me probleme në aspektin teknik, organizativ dhe operacional, për shkak të mos kordinimit të çifteve regjistruese, mungesës së regjistruesve të një komuniteti tjetër në zona një etnike si dhe probleme të tjera. KSHR po shqyrton mundësinë e shtyerjes së afatit të regjistrimit deri në fund të muajit, me qëllim që procesi të jetë i suksesshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›