Maqedoni, partitë reagojnë për listat e deputetëve

Partitë politike në Maqedoni kanë reaguar lidhur me emrat e publikuar nga disa media për listat e deputetëve për zgjedhjet e 5 qershorit.
Disa nga mediat vendore të thirrur pranë burimeve partiake kanë nxjerrë disa nga emrat kandidatë për deputetë. Publikimi i tyre ka nxitur debate dhe pakënaqësi brenda radhëve të partive, të cilat kanë reaguar me përgënjeshtrimin e informacioneve të tilla.
RDK sot nëpërmjet një reagimi gjithashtu ka hedhur poshtë emrat e publikuar nga disa media.
“Njoftojmë opinionin se emrat e kandidatëve të Rilindjes Demokratike Kombëtare për deputet në zgjedhjet e parakohshme do të jenë publike dhe zyrtare në momentin kur ato do të shpalosen nga vet partia. Deri tash nuk ekziston listë e pëpiluar e kandidatëve të RDK-së, prandaj vlen të theksojmë se çdo emër që përmendet nëpër shkrime të gazetave dhe segmente televizive nuk janë gjë tjetër veç se emra spekulativ dhe publiku t`i trajtojë si të tillë”, thekson RDK-ja.
Nga Demokracia e Re thonë se ende nuk i kanë përpiluar listat e kandidatëve për deputetë. Në një njoftim me shkrim nga kjo parti thonë se listat e kandidatëve për deputetë të DR-së janë nën ingerencë të Kuvendit Qendror të partisë, mbledhja e të cilit pritet të mbahet së shpejti.
Nga ana tjetër, PDSH dhe BDI kanë publikuar disa nga emrat duke mos i përgënjeshtruar disa prej tyre, por duke paralajmëruar se ato nuk janë përfundimtare.