Maqedoni, politika shqiptare e ndarë për referendumin për emrin
Politika shqiptare, është e ndarë në qëndrime rreth mbajtjes së referendumit për çështjen e emrit. BDI-ja e Ali Ahmetit është shprehur për konsensus të gjerë politik dhe ndëretnik. Ndërsa DR-ja kërkon që kjo çështje të shtrohet në parlament dhe jo në referendum. E prerë në këtë aspekt është PDSH-ja e Thaçit e cila thotë se shqiptarët duhet t'a bojkotojnë referendumin eventual. Subjektet politike shqiptare shprehen të vetëdijshme se koha për Maqedoninë po ecën shpejt dhe se deri më 7 dhjetor nuk ka shanse, as teorike e as praktike për mbajtjen e një referendumi eventual. BDI-ja këmbëngul që çështja e emrit si problemi kryesorë për rrugëtimin e Maqedonisë drejtë integrimeve euro-atlantike të zgjidhet, të gjendet një kompromis i pranueshëm për të gjitha palët dhe insiston në një konsencus të gjerë, gjithëpërfshirës politik dhe ndëretnik. BDI-ja është e gatshme të luajërolin e atij katalizatori të arritjes së unitetit dhe konsensusit të gjerë politik e ndëretnik", thotë Xhevat Ademi, deputet i BDI-së. Ndërsa kryetari i DR-së, akuzon krerët e shtetit për mungesë ideje për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar me fqinjin jugor dhe shpreh qëndrimin se çështja e emrit duhet të zgjidhet në suaza të parlamentit dhe jo të shtrohet në referendum. Ndërkohë edhe ministri i Drejtësisë Mihajlo Manevski thekson se në bazë të ligjit, nuk ka kohë për organizim dhe mbajtje të referendumit deri në 7 dhjetor. Me gjithë paralajmërimet nga Brukseli se Maqedonia nuk ka kohë për referendum, kryeministri Gruevski është shprehur i vendosur se për çështjen e emrit do të vendosin qytetarët përmes referendumit. Ndërsa Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka deklaruar se është unik rreth çështjes së strategjisë për zgjidhjen e kontestit rreth emrit. Ndërkaq Maqedonia nuk ka hequr dorë nga propozimi për formulën e dyfishtë, emrit kushtetues të vendit Republika e Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar dhe emrit të ndryshuar për marrëdhëniet bilaterale me Greqinë.