Maqedoni, qeveria ndërpret regjistrimin e popullsisë

Qeveria e Maqedonisë miratoi mbrëmë ligjin për ndërprerjen e regjistrimit të popullsisë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se ligji i cili do ti dorëzohet Parlamentit propozon ndërprerjen e procesit të regjistrimit të filluar nga data 1 tetor, por edhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për regjistrim.
“Gjithashtu propozohet edhe zhdukja e materialeve të deritanishme nga ana e Entit Shtetëror të Statistikave si dhe mbulimi i harxhimeve që janë bërë gjatë procesit të regjistrimit”, theksoi zëdhënësi Muhamet Hoxha.
Sipas tij, ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për regjistrim të popullsisë dhe banesave do t`i dorëzohet Parlamentit, ndërsa miratimi i tij do të bëhet përmes procedurave të shkurtuara.
Në vendimin e qeverisë nuk është përcaktuar ndonjë datë për mbajtjen e tij në të ardhmen e afërt, por nuk janë dhënë edhe detaje të tjera.
Nënkryetarja e Parlamentit, Svetlana Jakimovska sot ka njoftuar shefat e grupeve parlamentare se nesër pritet që të jenë në rend dite ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për regjistrim.
Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski pritet që nesër të caktojë seancën për çështjen e regjistrimit.
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni filloi nga 1 tetori, por u ndërpre pas dorëheqjeve të të gjithë anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, për shkak të interpretimeve kontradiktore të ligjit dhe problemeve tekniko-organizative në terren.