E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, raundi i dytë i votimeve KSHZ njofton për pjesëmarrje të ulët

07-04-2013 / Gazeta 55

Organizata MOST regjistron parregullsi

Moti me shi të vazhdueshëm që ka përfshirë Maqedoninë, po reflektohet edhe në jehonën e votuesve në raundin e dytë zgjedhor. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, deri në ora 10 është shënuar jehonë prej 7. 25 për qind që është jehonë më e vogël në krahasim me raundin e parë zgjedhor. Edhe në këtë raund zgjedhor, jehonë më e madhe po shënohet te votuesit maqedonas se sa te ata shqiptarë.
“Jehona e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore deri në orën 10 është 7,56 për qind. Kanë votuar 78.849 qytetarë. Në Shkup jehona e votimit është 7,14. Jehonë më të madhe është shënuar në Strumicë 14,47 për qind, ndërsa, jehonë më e ulët në Tetovë ku të drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar vetëm 4,43 për qind e të regjistruarve në listën zgjedhore, në Çair 5 % ndërsa në Strugë 6,75% apo 3799 votues”, u shpreh zëdhënësja e KSHZ, Biljana Jovanoska.
Që në orët e para të procesit të votimit në raundin e dytë zgjedhor në Maqedoni, janë shënuar parregullsi në disa vendvotime që për pasojë kanë ndërprerjen e procesit votues në ato vendvotime. Parregullsitë i ka shënuar edhe Lëvizja qytetare MOST që po e vëzhgon votimin me 2080 vëzhgues.
“Në vendvotimin 2164 në komunën e Velesit, votuesi ka fotografuar fletëvotimin dhe pas reagimit të Komisionit zonal votuesi është larguar, por letërnjoftimi i tij është mbajtur nga KZ-ja. Është thirrur Komisioni Komunal Zgjedhor dhe policia, me ç’rast ka pasur ndërprerje të votimit prej 40 minutash. Në vendvotimin 0848 në komunën e Koçanit, mungojnë fletë nga ekstrakti i Listës zgjedhore në të cilin janë regjistruar 90 votues”, deklaroi zëdhënësi i organizatës MOST, Darko Aleksov.
Raundi i dytë zgjedhor për partitë shqiptare është gati njësoj i rëndësishëm sa si raundi i parë, sepse përcaktohet fituesi në katër komunat më të mëdha shqiptare – Tetovë, Gostivar, Çair dhe Strugë, si dhe në disa komuna rurale. Në këtë raund zgjedhor përcaktohet edhe fituesi në qytetin e Shkupit, si dhe në disa prej komunave më të mëdha të banuara me shumicë maqedonase.

Votimet në Maqedoni
Maqedonia voton sot në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore. Procesi i Votimet për zgjedhjen e kryetarëve të komunave zhvillohen në 29 komuna dhe në qytetin e Shkupit. Të drejtë vote kanë 1 milion e 103 mijë qytetarë. Qytetarët votojnë në komunat me shumicë shqiptare: Haraçinë, Bërvenicë, Gostivar, Strugë, Studeniçan, Tearcë, Tetovë, Vrapçisht dhe Çair si dhe në komunat me shumicë maqedonase ku forcat kryesisht do ti masin dy partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM. Betejë më interesante në raundin e dytë zgjedhor zhvillohet në komunën e Strugës, në të cilën garojnë kandidati shqiptar Ziadin Sela, i cili ka mbështetjen e BDI-së dhe PDSH dhe kandidati maqedonas Vllado Koçovski, i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe LSDM. Në komunën e Tetovës garojnë kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi dhe kandidati i PDSH-së, Sadi Bexheti, kryetar aktual i Tetovës. Betejë të ashpër politike në kampin shqiptar do të ketë edhe në Gostivar, ku garojnë kandidati i BDI-së, Nevzat Bejta dhe kandidati i RDK-së, Rufi Osmani, Sa i përket komunave me shumicë maqedonase beteja midis pushtetit dhe opozitës maqedonase do të zhvillohet në komunat Veles, Kumanovë dhe Gjorçe Petrov si dhe në komunën Qendër, në të cilën garojnë kandidati i opozitës, Andrej Zhernovski dhe ai i pushtetit Vlladimir Todoroviq. Kjo betejë është e rëndësishme për shkak se në këtë komunë realizohet projekti i debatueshëm etnik ‘Shkupi 2014’, rreth të cilit nëse fiton kandidati opozitar ka paralajmëruar rishikim dhe ndërprerjen e realizimit të tij.
Balotazhi i sotëm po monitorohet nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Numrin më të madh të vëzhguesve e ka lëvizja qytetare ‘MOST’ me 2080 vëzhgues. Kjo organizatë mbulon 50 deri 60 për qind të 1.614 vendvotimeve në 29 komuna dhe Qytetin e Shkupit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›