E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, tani në shqip faqet zyrtaretë institucioneve

SHKUP-Qeveria e Maqedonisë në një nga mbledhjet e fundit ka vendosur që të gjitha faqet zyrtare të institucioneve qeveritare, duke u nisur nga faqja zyrtare e Qeverisë do të kenë edhe versionin e gjuhës shqipe.

Agjencia e lajmeve në shqip INA bën të ditur se kjo nismë ka ardhur pas kërkesës së ministrave shqiptarë në qeverinë maqedonase, se po pengohet e drejta e komunikimit mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Ministria e Informacionit dhe shërbimi për informim i Qeverisë është detyruar që të përgatisë një listë me institucionet dhe ministritë, të cilët do të duhet të përmbushin kushtin dhe të jenë edhe në gjuhën shqipe, përveç gjuhës maqedonase dhe asaj angleze.
Mirëpo aktualisht një pjesë e ministrive dhe disa drejtorive janë edhe në gjuhën shqipe, sidomos atje ku ministrat apo krerët e drejtorive janë kuadro shqiptare.

Zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku ka nënvizuar se është sjellë konkluzion se cilat ministri dhe institucione deri tani nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. “Detyrimi që në të ardhmen të gjitha faqet e internetit të jenë në gjuhën shqipe ka të bëjë me të gjitha institucionet”, ka theksuar Duraku.

Problemi i komunikimit elektronik edhe kohë më parë ishte ngritur si çështje debate, pasi edhe faqja e Presidentit Gjorgje Ivanov nuk e përmbante versionin në shqip.

Në Maqedoni, sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë kryer në vitin 2002, rreth 30% e popullsisë, ose 700 mijë shtetas janë regjistruar si shqiptare nga rreth 2 milionë banorë që ka ky shtet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›