Më i miri, më i keqi dhe më i mundshmi
Skenari më i mirë për daljen nga kriza aktuale shqiptare, parë nga këndvështrimi i interesave të vendit, dhe jo nga ato të udhëheqësve kryesorë politikë, është hetimi i të gjithë kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe dorëheqja e parevokueshme e Edi Ramës, në qoftë se vërtetohet se një pjesë e komisionerëve socialistë kanë bashkëpunuar në deformimin e rezultatit real të zgjedhjeve, në favor të pozitës. Kjo, sepse përgjegjësitë e Edi Ramës si udhëheqës i PS-së nuk kufizoheshin vetëm me tërheqjen e sa më shumë votave drejt PS-së. Me Kodin Zgjedhor që ai propozoi, në bazë të të cilit, ruajtja e votës u bë nga përfaqësuesit respektivë të dy partive kryesore, Rama mori përsipër edhe përgjegjësinë e përzgjedhjes së njerëzve të besuar për në komisionet e votimit dhe numërimit. Që këtij skenari t'i shkohet deri në fund, dorëheqja e Ramës duhet të shoqërohet me krijimin e një qeverie teknike, me shpalljen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme dhe me përmirësimin rrënjësor të kodit zgjedhor. Kjo, sepse, po të vërtetohet se komisionerët e kanë deformuar rezultatin zgjedhor në favor të pozitës, legjitimiteti i qeverisë bie. Dhe Shqipëria, sidomos në stadin aktual, ka më se nevojë për një qeveri me legjitimitet të konfirmuar nga zgjedhje të lira e të ndershme. Por a është i mundshëm ky skenar? Zhvillimet e derisotme tregojnë të kundërtën. Berisha, duke qenë i bindur se hapja e të gjitha kutive do të nxirrte në pah deformim të rezultatit të zgjedhjeve në favor të pozitës, është më se i vendosur që të mos lejojë hapjen e tyre. Por edhe SIKUR kjo gjë të ndodhë, gjasat janë fare të vogla që Rama të japë më pas dorëheqjen e parevokueshme dhe qeveria Berisha të shpallë dorëheqjen. Skenari më i keq për vendin është ai i vazhdimit të betejës për hapjen e kutive deri në kufijtë e luftës civile. Sipas këtij skenari, konfrontimi mes opozitës dhe pozitës mund të vazhdojë në forma të ndryshme deri në zgjedhjet lokale, në të cilat opozita nuk merr pjesë. Në momentin që fituesit e zgjedhjeve pa opozitën (në qoftë se mund të quhen zgjedhje...) do të duan të futen në bashkitë dhe komunat aktualisht në dorën e socialistëve, do të fillojë përplasja mes policive bashkiake e përkrahësve të opozitës nga njëra anë, dhe policisë së shtetit nga ana tjetër. Dhe kjo mund të sillte edhe konflikt të armatosur. Pikërisht për t'iu shmangur këtij skenari ekstrem, Brukseli, Strasburgu, dhe Uashingtoni do ta shtojnë vazhdimisht trysninë mbi dy krerët e politikës shqiptare, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e krizës politike aktuale. Kjo zgjidhje, me gjasa, do të jetë e tillë që t'i japë mundësinë Edi Ramës të justifikojë para partisë së tij, luftën 1-vjeçare për transparencën e votave, duke hapur disa kuti në të cilat mund të konstatohen shkelje të Kodit Zgjedhor. Ndërkohë, hapja e atyre kutive nuk do të jetë e mjaftueshme për të delegjitimuar plotësisht pushtetin e pozitës. Kujtdo nga krerët shqiptarë që mund të dojë të bëhet pengesë për zgjidhjen e sugjeruar nga Brukseli, Strasburgu dhe Uashingtoni, do t'i bëhet e qartë se do të izolohet politikisht dhe diplomatikisht nga komuniteti ndërkombëtar. Dhe, në ka një njeri që e di fort mirë se sa ndikon një izolim i tillë në kurbën politike të krerëve shqiptarë, ai njeri quhet Sali Berisha. Pas zgjedhjeve të vitit 1996, kur Berisha nuk pranoi zgjidhjen e sugjeruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për t'i përsëritur zgjedhjet në 40 zona, filloi një izolim i plotë politik dhe diplomatik i tij, i cili përfundoi me rrëzimin e qeverisë një vit më pas. Në shator 1998, kur opozita e drejtuar nga Berisha pothuaj mori në dorë frenat e shtetit me armë luftarake, ishte izolimi i plotë që i bënë kanceleritë perëndimore, ato që ia bënë të pavlefshme marrjen në kontroll të Kryeministrisë, Gardës së Republikës dhe të Radio Televizionit Shtetëror. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë të kaluar, as Berisha nuk do të guxonte t'i bënte karshillëk kancelerive perëndimore, siç u bëri më 1996, dhe as Rama nuk do të guxonte të bënte diçka të ngjashme me atë që bëri opozita e vitit 1998. Si rrjedhojë, ata do të detyrohen të pranojnë paketën përfundimtare që do t'u sugjerohet një ditë nga kanceleritë perëndimore, e cila mishin do ta pjekë, po hellin s'do ta djegë...