Turpi për impotencën,meshkujt shqiptare harrojnë andrologun
zirina llambro
Për shumëkënd është çështje sedre mashkullore, për të tjerë neglizhencë apo siklet. Por nuk janë të paktë ata që për mungesë kulture, e quajnë absurde kryerjen e një vizite te mjeku androlog. Nevojën e tij, meshkujt shqiptarë e ndjejnë vetëm atëherë kur "nuk mban më ujë pilafi". Kur aktiviteti seksual i tyre është fare përtokë. Nuk arrijnë të kënaqin partneren dhe pa diskutim edhe veten. Por teksa nga një anë, për andrologun kujtohen rrallë, statistikat zyrtare flasin se rreth 10% meshkujve deri në moshën 50 vjeç në vendin tonë janë impotentë. Po kështu 50% e problemeve të mos pasurit fëmijë në çift, vijnë pikërisht nga ata. Përpos të gjithë këtyre faktorëve ,u është shtuar edhe një siklet tjetër. Me futjen e sistemit të referimit, nëse do t'u duhet të kryejnë një vizitë në ambulanca apo spitalet publike, duhet më parë të kalojnë te mjeku i familjes. Me këtë kusht nga sa pohojnë vetë specialistët, duket se të gjithë ata që kanë probleme, i zë turpi. Preferojnë më mirë të mos kryejnë fare vizitën apo të transferohen në klinikat private. Një tjetër problem është edhe çmimi i vizitës, e cila për të pasiguruarit është caktuar plot 1500 lekë, shifër kjo disa herë më e lartë se më parë. Statistikat flasin për një ulje drastike të vizitave edhe në maternitetet që ofrojnë këtë shërbim. Ndërkohë që vetëm një konsultë a një recetë mjekësore mund t'i japë zgjidhjen një sërë problemesh madhore që burrat shqiptarë kanë.
Shkelet privatësia
"Vizitat kanë rënë me më shumë se 30%. Nga 10-15 vizita në ditë, aktualisht nuk kryejmë më shumë se 4. U bë shumë punë që konsulta te mjeku androlog të mos shihej më tabu, siç ndodhte disa vite më parë. Jemi në fazën që flitet lirshëm për aktivitetin seksual, kanë ndryshuar konceptet por gjithsesi kohët e fundit vihet re një "frenim" i meshkujve për t'u konsultuar me mjekun androlg. Sidomos pas futjes së sistemit të referimit. Duhet të kuptojmë që kemi të bëjmë me një specifikë të veçantë. Aplikimi i kësaj reforme është mjaft pozitive, por për këtë shërbim ka krijuar probleme. Për shumë meshkuj që kanë probleme me impotencën seksuale apo sterilitetin është siklet që, tani përpara se të kryejë një vizitë, të marrë fillimisht rekomandim nga mjeku i familjes. Më parë vinin direkt te specialisti dhe kjo pjesë nuk u kushtonte, pasi u ruhej sekreti", sqaron mjeku androlog në poliklinikën e specialiteteve nr.3 në Tiranë, Evin Dani. Sipas tij, përgjithësisisht meshkujt duan t'i fshehin të tilla probleme, e për rrjedhojë puna e andrologut, në radhë të parë konsiston në fitimin e besimit të tyre për të folur hapur për problemet që kanë. "Ajo çka kërkojnë me ngul pacientët është ruajtja e privatësisë, në këtë kontekst me futjen e sistemit të referimit kemi një prishje të kësaj balance. Kjo pjesë mund të zgjidhej me anë të urdhëresave të veçanta ,të cilat do ta zbusnin pa diskutim këtë ngërç të krijuar", thotë Dani.
Impotenca te të rinjtë
Sipas mjekut, problemi i impotencës mashkullore rritet me kalimin e moshës. Nëse te personat nën 40 vjeç, shifrat e impotencës janë 10%, te mosha 50 vjeç ato arrijnë në 20%. Pas të gjashtëdhjetave rreth 40% e meshkujve janë impotentë. Ky problem është tërësisisht i kurueshëm dhe skemat e mjekimit janë në vartësi të faktorëve që e shkaktojnë. "Impotenca mashkullore shkaktohet nga faktorë psikologjikë dhe organikë. Pa diskutim faktori moshë çon në uljen e nivelit të testosteroni. Te moshat e reja si shkaktar i impotencës haset kryesisisht faktori i parë. Pas dështimit të një akti seksual disa herë rresht, është një lloj alarmi që i përfshin se mos kjo gjë ndodh sërish çka bën që të shkaktohet impotenca. Ndërsa tek më të vjetrat kemi kryesisisht shkaktar faktorin organik, ku bëjnë pjesë shfaqja e sëmundjeve si diabeti, hipertensioni, të cilat njihen si shkaqe të impotencës", sqaron mjeku androlog. Duke pranuar frikën e meshkujve nga këto probleme, por edhe sikletin që ata kanë për tu konsultuar me specialistin, Dani hedh poshtë një tjetër stereotip të krijuar për meshkujt shqiptar. Ndërsa përgjithësisisht ekziston fryma se nuk duan t'ja dinë fort për dëshirat e partneres, andrologu pohon të kundërtën. "Rreth 70-80% e meshkujve duan të kënaqin seksualisht partneret e tyre. Këtë e tregojnë jo vetëm statistikat por edhe kontakti i përditshëm që kemi me ta", sqaron Dani.
Për 1 vit, 19 vizita te "Koço Gliozheni"
Shërbimi i andrologut rrezikon mbylljen
Veç poliklinikës së specialiteteve, shërbimi i mjekut androlog ofrohet edhe nga maternitetet e kryeqytetit. Gjatë analizës vjetore të tyre u raportua ulje drastike e vizitave sidomos në maternitetin "Koço Glozheni". Për vitin 2009 janë regjistruar vetëm 19 vizita ndërsa për 2008 numri i tyre ishte 117. Kjo ka bërë që drejtuesit të mendojnë seriozisht për mbylljen e shërbimit, pasi nuk siguron të ardhura dhe rezulton i paefektshëm po t'i referohesh numrit të vizitave. "Ne e bëmë prezent edhe gjatë analizës vjetore që numri i vizitave në këtë shërbim është minimal. Po konsiderojmë në fakt mbylljen e tij, por jo se nuk është shërbim i rëndësishëm. Përkundrazi, është i nevojshëm dhe te të gjitha çiftet që duan të sjellin në jetë një fëmijë, meshkujt duhet të konsultohen më parë me andrologun. Por ne nuk na sjell të ardhura. Ndoshta meshkujt stepen sepse materniteti është spital femëror. Nuk di t'ju them me siguri kush është shkaku", tha në një prononcim për gazetën, drejtoresha e maternitetit "Koço Gliozheni", Rubena Moisu. Ajo shtoi se pamundësia për të pasur një fëmijë tek çiftet është në raport 50% me 50% si pasojë e sterilitetit të femrës dhe po kaq të meshkujve.