Maqedonia dhe Mali i Zi njohin pasaportat e Kosovës
Edhe pse nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë bërë të ditur se do t’i njohin pasaportat e reja të Kosovës duke i konsideruar ato si vazhdimësi e pasaportave të UNMIK-ut. Petar Çulev nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë tha se “qytetarët e Kosovës lirisht do të mund të hyjnë në Maqedoni me pasaportat e reja, ashtu siç kanë bërë edhe më parë”. Të njëjtën deklaratë ka bërë edhe ministry i brendshëm malazez Jusuf Kallamperoviç sipas të cilit vendi i ri do t’i njohë pasaportat e reja të shtetit që edhe nuk e ka njohur. Ai ka shtuar gjithashtu se pranimi i pasaportave të Kosovës nuk është as njohje e as mosnjohje e Kosovës. Mali i Zi nuk synon që të mbyllë kufijtë e vet as për njerëzit e as për mallrat nga Kosova.
Çekia hapi Ambasadën në Prishtinë
Përfaqësia diplomatike e Çekisë në Prishtinë është ngritur në nivel ambasade, ku në një ceremoni të rastit, shiritin e përurimit e prenë zëvendësministri çek i punëve të jashtme, Tomash Pojar dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Zëvendësministri çek tha se Çekia si kryesuese e ardhshme e Bashkimit Europian do ta mbështesë Kosovën. “Në janar të vitit 2009, Republika Çeke pritet të marrë kryesinë e Bashkimit Europian. Ne edhe si Çeki, edhe si kryesuese e radhës, do ta mbështesim Kosovën në të gjitha pikëpamjet, qoftë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike”,- tha ai. Pojar premtoi se do të inkurajojë kompanitë e ndryshme çeke për të investuar në Kosovë dhe në këtë mënyrë të ndihmojë zhvillimin ekonomik të saj. Presidenti Sejdiu vlerësoi se vendimi që të hapet Ambasada çeke në Kosovë, është një përkushtim i veçantë i Republikës së Çekisë për marrëdhënie sa më të mira në të gjitha fushat me Republikën e Kosovës.
17 Korrik 2008