E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Edhe Berisha

Edi Rama

Kryesocialisti tha se opozita duroi me dinjitet ditet e tragjedise dhe nuk e perdori fatkeqesine per perfitime. Por tani duhet te dalin fajtoret

“Kjo çudi nuk do të zgjasë tri ditë”, - premtoi dje Edi Rama, duke premtuar se do të bëjë të pamundurën për zbardhjen e së vërtetës dhe vënin përpara përgjegjësisë të shkaktarëve të tragjedisë së Gërdecit. Ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha e të ministrit të Mbrojtës, Fatmir Mediu, lideri i socialistëve garantoi: “Në emër të atyre që humbën jetën 48 orë më parë dhe të të gjithë atyre jetëve të humbura vit pas viti në fatkeqësi jonatyrore, për shkak të një shteti që prej 17 vjetësh nuk garanton sigurinë e jetës, unë, Partia Socialiste dhe e gjithë opozita shqiptare, së bashku me miliona shqiptarët e indinjuar nga kjo katrahurë, nuk do të lejojmë që kjo tragjedi të kalojë siç kanë kaluar, falë sherrit e shamatës boshe të politikës së vjetër, të gjitha të tjerat”. Pas disa ditësh heshtje dhe mbështetje ndaj familjarëve, mjekëve, forca ushtarake, socialistët duan të gjenden dhe dënohen përgjegjësit e tragjedisë. Për Edi Ramën ka ardhur ora e së vërtetës. “Ne sot s’arrijmë të numërojmë dot më viktimat e vdekura e të gjalla të këtyre minave sociale që plasin çdo ditë nëpër Shqipëri, të cilat kjo qeveri e papërgjegjshme, e paaftë, e korruptuar si asnjë tjetër më parë, që është kthyer në një agjenci funeralesh e shpërblimesh për familje të vdekurish në punë, në rrugë, në festë, ka pafytyrësinë t’i vrasë për së dyti, me justifikime në vend të dorëheqjeve, me gënjeshtra në vend të transparencës, me përpjekjen e madhe për të mbijetuar politikisht, në vend të detyrimit për t’u përgjigjur ligjërisht”, - nënvizoi kreu i socialistëve. Ai sqaroi se dalja me këtë qëndrim, që ditën e tragjedisë u evitua, për të shmangur pikërisht përsëritjen e së shkuarës, kur pas akuzave, shkaktari dilte “pa lagur”. Pak orë pas deklaratës së kreut të PS-së dhe protestës së banorëve të Gërdecit, Fatmir Mediu njoftoi se jepte dorëheqjen nga drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Pas tragjedive të shumta të ndodhura në 17 vitet e fundit dhe asaj të Farkës, që pas disa ditësh u la në harresë gjetja e shkaktarëve, të shohim çfarë do të ndodhë me tragjedinë e Gërdecit, për të cilën kryesocialisti Rama premtoi: “Kjo çudi nuk do të zgjasë tri ditë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›